Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën në Tiranë, ndërsa Trupa e Marinsave të SHBA-së ka ngritur flamurin amerikan në rezidencën zyrtare të ambasadorit.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila ka publikuar pamjet nga ceremonia e ngritjes së flamurit në rezidencën e ambasadorit, në kuadër të fillimit të detyrës së Wendt.
“Një kapitull i ri nis në Shqipëri!”, thuhet në mesazhin e Ambasadës amerikane, e cila nënvizon rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të aleancës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësitë dhe punojmë për një të ardhme më të begatë e më të sigurt për të dy vendet tona”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Eric Wendt nisi zyrtarisht detyrën si ambasador i SHBA-së në Shqipëri më 26 shtator, kur i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke shënuar fillimin e mandatit të tij diplomatik në Tiranë.

