Pse të mos rikthehet OFL?

29 Shtator 2026, 19:32Kronika TEMA

Pse të mos rikthehet OFL?

Nga Musa Kurtulaj

-Nëse krimi organizohet, shteti duhet të organizohet edhe më mirë për ta goditur-
Besoj se të gjithë e kujtojmë Operacionin Forca e Ligjit (OFL), i cili nisi të funksionojë në vitin 2020. Ishte një strukturë policore e konceptuar për të goditur një nga pikat më të ndjeshme të krimit të organizuar: pasurinë e krijuar përmes veprimtarisë kriminale dhe përdorimin e saj për të financuar krimin.
Nëpërmjet procedurave të përcaktuara, individëve me pasuri të dyshuara se rridhnin nga veprimtari kriminale u kërkohej të justifikonin burimin e tyre. Në rastet kur nuk mund të justifikohej ligjshmëria e pasurisë, ajo i nënshtrohej procedurave të sekuestrimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi. Arkitekt i krijimit të kësaj strukture dhe i misionit të saj ishte ministri i Brendshëm i asaj periudhe, Sandër Lleshaj. OFL-ja u krijua mbi bazën e Aktit Normativ Special të Qeverisë, të datës 31 janar 2020, dhe më 3 shkurt nisi veprimtarinë në terren.
Që në fillim, mesazhi ishte i qartë: pasuria e krijuar nga krimi nuk mund të mbetet e paprekur dhe të vazhdojë të shërbejë si burim financimi për veprimtarinë kriminale. Krimi i organizuar nuk luftohet vetëm me arrestime, goditet edhe duke i prerë burimet financiare. Kur i hiqet krimit fuqia ekonomike, i kufizohet edhe mundësia për të korruptuar, për të blerë ndikim, për të zgjeruar aktivitetin dhe për të ushqyer më tej rrjetet kriminale.
OFL-ja funksionoi për një vit dhe, në fund të vitit 2020, pushoi së ekzistuari, pasi mandati i saj ishte njëvjeçar. Gjatë kësaj periudhe u raportua për rreth 550 persona të dyshuar për pasuri me burime kriminale dhe rreth 1550 pasuri të sekuestruara. Shifrat, pavarësisht mënyrës se si interpretohen, tregojnë se bëhej fjalë për një mekanizëm që kishte hyrë drejtpërdrejt në një territor ku krimi është veçanërisht i ndjeshëm: pasurinë.
Këtu lind pyetja që mbetet aktuale edhe sot: Pse nuk iu zgjat mandati OFL-së, në një kohë kur lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkonte mekanizma sa më efikasë?
Ndërkohë ishte krijuar edhe SPAK-u, duke i dhënë vendit një strukturë të re dhe të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por kjo nuk e bën domosdoshmërisht të panevojshme çdo mekanizëm tjetër të specializuar. Përkundrazi, institucionet duhet të plotësojnë dhe të fuqizojnë njëra-tjetrën, brenda një kuadri të qartë ligjor dhe me respekt të plotë për të drejtat e qytetarëve.
Prandaj, sot ia vlen të shtrohet seriozisht pyetje : Pse të mos rikthehet OFL? Jo domosdoshmërisht si kopje e strukturës së vitit 2020, por si një mekanizëm modern, profesional dhe i fuqizuar ligjërisht, i cili të ketë në fokus pasuritë me origjinë kriminale dhe goditjen e burimeve financiare të krimit të organizuar.
Një strukturë e tillë, nëse ndërtohet mbi baza të forta ligjore, me kontroll institucional, transparencë dhe garanci për procesin e rregullt ligjor, do të mund të bëhej një tjetër hallkë e fortë në luftën kundër pasurisë kriminale e korrupsionit.
Një gjë duhet ta kemi të qartë:
Krimi vërtetë mund të jetë i fuqishëm me paratë e tij, por shteti duhet të jetë më i fuqishëm me ligjet e tij. Goditja e pasurisë kriminale nuk është vetëm një çështje financiare, por është një mënyrë për t’i dobësuar strukturat kriminale në themel, për t’u kufizuar kapacitetet dhe për t’u prerë mundësitë që pasuria e paligjshme të shndërrohet në pushtet, ndikim dhe korrupsion.
Rikthimi i një mekanizmi të tillë, të përshtatur me 0realitetin e sotëm dhe të koordinuar me institucionet ekzistuese të drejtësisë, do të ishte gjithashtu një tregues i vendosmërisë së shtetit për të mos lejuar që pasuria e krijuar nga krimi të kthehet në një instrument të fuqisë së tij.
Në fund të fundit, lufta kundër krimit të organizuar nuk fitohet vetëm duke ndjekur njerëzit që kryejnë krimin, por edhe duke ndjekur edhe pasurinë që krimi krijon. OFL është një strukturë që e forcon këtë betejë. Në këto kushte, natyrshëm ritheksohet pyetja: A nuk ka ardhur koha të mendohet seriozisht për rikthimin e saj? Besoi se po, aq më shumë kur jemi edhe në vazën vëndimtare të proçesit të integrimit në BE.

Lini një Përgjigje