
Imperializmi rus është kërcënimi më i madh për Evropën dhe vënia në dyshim e kësaj është e papërgjegjshme, deklaroi të martën ministri gjerman i Punëve të Jashtme në Sllovaki, vend ku kryeministri ka kritikuar qasjen e Perëndimit ndaj Ukrainës.
“Kërcënimi më i madh për lirinë e kontinentit tonë vjen nga Moska. Rreziku më i madh për Evropën është imperializmi agresiv i (presidentit rus Vladimir) Putinit,” tha ministri gjerman Johann Wadephul gjatë takimit me homologun e tij sllovak, Juraj Blanar.
“Vënia në dyshim e këtyre fakteve jo vetëm që tregon mungesë solidariteti, por do të ishte thjesht e papërgjegjshme.”
Sllovakia, e udhëhequr nga qeveria nacionaliste e krahut të majtë të kryeministrit Robert Fico, ka vënë në dyshim reagimin e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s ndaj luftës që pasoi pushtimin rus në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Fico ka ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Moskën, përfshirë takimet me Putinin, dhe është përplasur me BE-në lidhur me masat për ndërprerjen e furnizimeve me naftë dhe gaz rus, të cilat Bratislavës ende i duhen.
Këtë muaj, Fico kritikoi politikanë të paemërtuar perëndimorë se duan të nxisin konfliktin midis NATO-s dhe Rusisë pas një strategjie “të dështuar” për të mposhtur Moskën.
Ai gjithashtu tha se Evropa ishte më pranë se kurrë luftës dhe se donte ta mbante Sllovakinë jashtë konfliktit.
Në një intervistë televizive gjatë fundjavës, ai deklaroi se nuk besonte se partnerët do të dërgonin trupa për të ndihmuar Sllovakinë në rast lufte.
Fico ka thënë se do të preferonte neutralitetin, por ishte i detyruar nga anëtarësimi në NATO.
Lini një Përgjigje