
Bashkia e Krujës i ka dhënë 681 mln lekë kompanisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. e lidhur me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, përmes një prokurimi pa garë.
Kompania rezulton të ketë qenë e vetmja ofertues në procedurë. Kontrata është parashikuar për një periudhë njëvjeçare dhe kap vlerën rreth 681 milionë lekë me TVSH.
Procedura lidhet me depozitimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Krujës në landfillin e Tiranës, ndërsa fondet do të paguhen nga buxheti i bashkisë.
Kontrata vjen në një kohë kur “Integrated Energy BV SPV” vijon të jetë nën masën e sekuestros preventive të vendosur nga Gjykata e Posaçme në korrik 2023. Sipas SPAK, me vendimin nr. 95, datë 28 korrik 2023, masa e sigurimit pasuror është vendosur mbi pasuritë e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, si dhe mbi shoqëritë “Integrated Energy BV SPV”, “Integrated Technology Services” dhe “F.M.O”.
Pavarësisht statusit të sekuestros, shërbimi i depozitimit të mbetjeve vijon të kryhet dhe pagesat nga institucionet publike vazhdojnë. Të dhënat e Open Spending Albania tregojnë se vetëm gjatë vitit 2026, deri më 23 shtator, “Integrated Energy BV SPV” ka përfituar mbi 1 miliard lekë nga 56 pagesa të ekzekutuara nga thesari.
Në listën e pagesave figurojnë, ndër të tjera, Bashkia e Durrësit, Bashkia e Kamzës dhe Bashkia e Tiranës për depozitimin e mbetjeve urbane. Një pagesë prej rreth 78.2 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës është regjistruar më 1 shtator 2026 për depozitimin e mbetjeve të muajit korrik.
Me përfshirjen e Krujës, numri i bashkive që përdorin landfillin e Tiranës zgjerohet më tej. Dokumentet e sektorit të menaxhimit të mbetjeve e kanë parashikuar prej vitesh Krujën ndër bashkitë që do të lidhen me landfillin e Tiranës, krahas Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës, Durrësit dhe Shijakut.
Ndërkohë, çështja penale dhe pasurore që lidhet me inceneratorin dhe kompanitë koncesionare vijon të jetë në proces. SPAK ka bërë të ditur se hetimet në një procedim të ndarë vijojnë për të evidentuar fakte të tjera penale dhe personat përgjegjës lidhur me procedurën e koncesionit dhe zbatimin e kontratës./Versus.al

