“Gjurmë kohe”, libri që sjell traditat dhe jetën e qytetit të vjetër të Elbasanit

29 Shtator 2026 | 20:11

Historia dhe identiteti i Elbasanit u sollën në qendër të një mbrëmjeje letrare të organizuar në lulishten përpara Muzeut Etnografik, ku u promovua libri “Gjurmë kohe” i shkrimtarit Ingrid Zaimi. Veprimtaria, e organizuar nga Biblioteka Publike “Qemal Baholli”, mblodhi studiues, lexues dhe dashamirës të librit.

Libri, përmes kujtimeve personale dhe rrëfimeve familjare, dokumenton mënyrën e jetesës dhe traditat e Elbasanit në periudhën e kalimit nga qyteti i vjetër drejt modernizimit.

 “Kujtime të një periudhe të veçantë të historisë sonë. Një periudhe kur kalohet nga jeta e mëparshme në jetën e zakonshme që bëjmë sot. Kur kalohet nga kalldrëmi në asfalt. Kur kalohet nga via në kanalizim të plotë. Kur çezmja futet brenda. Pikërisht përpara kësaj, gjatë kësaj periudhe që ndodh kjo, shtëpitë tona kishin një tjetër pamje, kishin një tjetër mënyrë jetese, ama ishte gjithçka sipas diturisë popullore. Ne kishim në atë kohë atë që quhej “shtëpia e zjarrit”, që u zëvendësua nga kuzhina, të ashtuquajturën “soba”, që sot është dhoma e pritjes, si të thuash, të ashtuquajturën “divitja”, që sot është dhoma e çiftit, po gjithë ambientet e tjera”, tha shkrimtari Ingrid Zaimi.

Përveç rrëfimeve, libri përmban edhe një fjalorth shpjegues me fjalë dhe shprehje tradicionale elbasanase. Përmes tyre, vepra synon të ruajë edhe një pjesë të trashëgimisë gjuhësore të qytetit.

“Libri ka një karakter të veçantë. Është një mikroskop i cili shikon në detajet më të imta të gjitha orenditë e një shtëpie dommollie elbasanase, duke i përshkruar të gjitha elementet e saj: në dhomat e ndryshme, në dhomat e gjumit, në dhomat e kuzhinës, siç i themi ne oda e zjarrit, në divitje, në pjesën e përparme të shtëpisë, në bodrumet e saj, çështja e çkykut, që janë dollapet — dollap nuk përdorej, përdorej fjala çkyk — e shumë e shumë elementë të tjerë”, u shpreh studiuesi Fetah Biza.

Sipas organizatorëve, “Gjurmë kohe” shkon përtej kujtimeve personale, duke u kthyer në një dëshmi për historinë dhe identitetin e qytetit.

“Ky libër nuk është vetëm një përmbledhje kujtimesh, është një akt dashurie për Elbasanin. Është zëri i një brezi që nuk do të harrohet, është fotografia e rrugicave me kalldrëm e oborreve me jaseminë e njerëzve që na rritën”, tha Elisa Janku, drejtoreshë E Bibliotekës “Qemal Baholli”.

Përmes rrëfimeve, fjalorit tradicional dhe detajeve të jetës së përditshme, “Gjurmë kohe” sjell një dëshmi të shkruar për mënyrën se si ka ndryshuar Elbasani ndër vite. Kujtesa e qytetit, e ruajtur në faqet e librit, përcillet kështu si pjesë e trashëgimisë për brezat që vijnë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Lahuta Smart”, nga tradita te teknologjia, lahuta merr një dimension të ri

Lahuta, një nga simbolet e identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, po hyn në një fazë të re zhvillimi. Projekti “Lahuta Smart” synon ta sjellë këtë...
20:05 | 29/09/2026

Vunoi shpallet zyrtarisht “Qendër Historike”, qeveria miraton zonën e mbrojtur

Këshilli i Ministrave ka shpallur zyrtarisht fshatin Vuno si pasuri kulturore të paluajtshme me statusin “Qendër Historike”. Vendimi, i miratuar në mbledhjen e qeverisë të...
16:22 | 25/09/2026

“Shkodra ka plot dashuri”, humori rikthehet në skenën e teatrit “Migjeni”

Humori rikthehet në skenën e Teatrit “Migjeni” dhe këtë herë vjen me “Shkodra ka plot dashuri”. Premiera u shoqërua me një sallë të mbushur plot...
17:17 | 24/09/2026