AKTUALITET /

122 ditë protestë, qytetarët para Kryeministrisë. Kërkohet anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Një tjetër pikë e kërkesave lidhet me ndryshimet kushtetuese, përmes të cilave protestuesit kërkojnë që të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit.

Shkruar nga Versus

122 ditë protestë, qytetarët para Kryeministrisë.

Në ditën e 122-të protestës, qytetarët kanë dalë sërish para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesat e tyre të cilat mbeten të pandryshuara.

Nga podiumi i vendosur para Kryeministrisë, Lleshi renditi si kërkesë të parë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Më pas, ajo kërkoi krijimin e një qeverie teknike, tranzitore dhe jopartiake, me mandat 12-mujor.

Një tjetër pikë e kërkesave lidhet me ndryshimet kushtetuese, përmes të cilave protestuesit kërkojnë që të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit. Në këtë kuadër kërkohet edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme.

Lleshi renditi gjithashtu si kërkesë kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Në listën e kërkesave janë përfshirë edhe anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore, si dhe shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” dhe i statusit e kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Kërkesa e pestë lidhet me hartimin e një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit. Sipas aktivistes, kjo kontratë do të hartohet pas konsultimit me intelektualë, të rinj dhe qytetarë apolitikë të propozuar nga sheshi i protestës.

Lleshi deklaroi se protestuesit vijojnë të qëndrojnë të bashkuar rreth këtyre kërkesave, të cilat organizatorët i konsiderojnë të panegociueshme./Versus.al

Poll