Protestuesit kanë mbyllur fjalimet para Kryeministrisë dhe kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.
Të shumtë ishin qytetarët të cilët folën në podiumin e vendosur para Kryeministrisë ku bënë thirrje për ndryshim dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ndryshim sistemi” ishin disa prej sloganeve të përsëritura gjatë protestës.
Edhe sot, protesta ka spikatur duke bërë bashkë shtresa të ndryshme të shoqërisë, nga fëmijë e të moshuar, te studentë, profesionistë, aktivistë të cilët i janë bashkuar qëndresës qytetare.
Tubimi shënon ditën e 122-të të protestave, ndërsa qytetarët vijojnë të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë përmes pankartave, sloganeve dhe marshimit në kryeqytet.












