
Një histori e rëndë po hetohet në Itali pas vdekjes së 25-vjeçarit me origjinë shqiptare, Ferdinand Nokaj, i cili u zhduk më 30 gusht në Rovereto dhe u gjet i pajetë disa ditë më vonë në brigjet e lumit Adige.
Ferdinandi kishte lindur në Fano dhe jetonte me familjen në Colli al Metauro. Prej pesë vitesh jetonte në Rovereto, ku studionte për Shkenca Kognitive në Fakultetin e Psikologjisë. Gjatë verës punonte në një piceri dhe, sipas familjarëve, ishte një djalë i qetë, i përkushtuar ndaj studimeve dhe larg konflikteve.
Më 30 gusht, pak orë para zhdukjes, 25-vjeçari i tregoi familjes se ishte sulmuar në Rovereto nga disa të rinj shqiptarë. Sipas babait të tij, ai kishte shenja në fytyrë dhe ishte i frikësuar. Familja ruan edhe një pamje të ekranit të një postimi në Instagram të Ferdinandit, ku, sipas tyre, dalloheshin shenjat në fytyrën e tij.
Babai i kërkoi të shkonte menjëherë te karabinierët.
“Këtë po mendoj edhe unë, baba”, i ishte përgjigjur Ferdinandi.
Por nuk ka të dhëna që ai të jetë paraqitur te autoritetet.
Në orën 17:21, Ferdinandi kontaktoi sërish vëllain e tij nga stacioni i trenit në Rovereto. Më pas, në orën 19:16, erdhi komunikimi i fundit.
“Si je?”, e pyeti familjari.
“Ende gjallë”, u përgjigj Ferdinandi.
Pas këtij mesazhi, telefoni i tij nuk u përgjigj më.
Të nesërmen, vëllai i tij denoncoi zhdukjen te karabinierët në Fano. Familja, e cila ndodhej në Shqipëri, ndërpreu pushimet dhe u nis drejt Italisë. Prindërit udhëtuan me traget dhe, pasi mbërritën në Bari, u nisën direkt drejt Roveretos.
Më 1 shtator ata u paraqitën te karabinierët dhe nisën kërkimet për djalin. Babai udhëtonte vazhdimisht nëpër Trentino, kontaktonte miqtë dhe të njohurit e Ferdinandit dhe kërkonte informacion nga autoritetet.
Hetimet mbi telefonin e të riut çuan deri në Termeno sulla Strada del Vino, në Alto Adige, rreth 64 kilometra larg Roveretos. Ende nuk dihet se si Ferdinandi e përshkoi këtë distancë. Sipas familjes, ai kishte me vete vetëm një çantë të vogël krahu.
Ndërkohë, më 5 shtator, në brigjet e lumit Adige, në Grumo, në territorin e San Michele all’Adige, u gjet trupi i pajetë i një të riu. Në atë moment, trupi nuk u lidh me studentin shqiptar të zhdukur.
Familja vazhdoi kërkimet për javë të tëra. Në mesin e shtatorit, babai angazhoi edhe avokatin Francesco Bonatesta, i cili më 18 shtator i kërkoi Komisionerit të Qeverisë për Provincën e Trentos aktivizimin e planit provincial për kërkimin e personave të zhdukur.
Mbrëmjen e 24 shtatorit, në orën 23:10, babai mori telefonatën nga karabinierët e Roveretos. I kërkuan të paraqitej të nesërmen.
Ai u nis nga Colli al Metauro në orën 03:00 të mëngjesit dhe mbërriti rreth orës 08:00. Karabinierët e shoqëruan në spitalin Santa Chiara në Trento.
Vetëm babai hyri në morg.
Aty mësoi se trupi i gjetur më 5 shtator në brigjet e lumit Adige ishte ai i djalit të tij. Ai e identifikoi Ferdinand Nokajn nga fytyra dhe nga një tatuazh në gjoks.
Për vdekjen e 25-vjeçarit po heton Prokuroria e Trentos, e cila ka hapur një dosje për nxitje të vetëvrasjes./Versus.al

