
Pamje të një turisteje në momente paniku gjatë një aktiviteti ekstrem në Dagestan të Rusisë kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Në video, gruaja dëgjohet duke iu lutur instruktorëve që të mos e shtyjnë, pasi shprehet se ka frikë nga kërcimi. Pavarësisht kundërshtimit të saj, një prej punonjësve e godet në pjesën e pasme të këmbëve, duke e detyruar të ulet në skajin e platformës, përpara se të lëshohet në ajër.
Situata bëhet edhe më e debatueshme për shkak të reagimit të bashkëshortit të saj, i cili ndodhet pranë dhe filmon momentin, ndërsa dëgjohet duke qeshur.
Pas publikimit dhe përhapjes së pamjeve, autoritetet kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë.
Ministria e Turizmit në Dagestan ka deklaruar se videoja ishte e inskenuar për xhirimin e një materiali promovues dhe se nuk bëhej fjalë për një situatë reale me turistë.

