Imperializmi rus përbën kërcënimin më të madh për Evropën dhe vënia në dyshim e këtij rreziku është e papërgjegjshme, deklaroi të martën ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, gjatë një vizite në Sllovaki.
Gjatë takimit me homologun e tij sllovak, Juraj Blanar, Wadephul tha se kërcënimi kryesor për sigurinë dhe lirinë e kontinentit vjen nga Moska.
“Kërcënimi më i madh për lirinë e kontinentit tonë vjen nga Moska. Rreziku më i madh për Evropën është imperializmi agresiv i (presidentit rus Vladimir) Putinit”, deklaroi ministri gjerman.
“Vënia në dyshim e këtyre fakteve jo vetëm që tregon mungesë solidariteti, por do të ishte thjesht e papërgjegjshme”, shtoi ai.
Deklaratat e Wadephul u bënë në Sllovaki, e cila drejtohet nga qeveria e kryeministrit Robert Fico, që ka kritikuar në mënyrë të përsëritur qasjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj luftës në Ukrainë.
Fico ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Moskën, përfshirë takimet me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa është përplasur me BE-në lidhur me masat për reduktimin dhe ndërprerjen e furnizimeve me naftë dhe gaz nga Rusia, prej të cilave Bratislava vazhdon të varet.
Këtë muaj, Fico kritikoi politikanë perëndimorë, pa i emërtuar, duke i akuzuar se po kërkojnë të nxisin një konflikt mes NATO-s dhe Rusisë, pas asaj që ai e cilësoi si strategji të dështuar për mposhtjen e Moskës.
Ai ka deklaruar gjithashtu se Evropa është më pranë luftës se kurrë dhe se synon ta mbajë Sllovakinë jashtë konfliktit.
Në një intervistë televizive gjatë fundjavës, Fico tha se nuk besonte se aleatët do të dërgonin trupa për të ndihmuar Sllovakinë në rast të një lufte.
Kryeministri sllovak ka deklaruar më herët se do të preferonte që vendi i tij të ishte neutral, por se anëtarësimi në NATO e detyron të jetë pjesë e aleancës.

