“PS nuk është avokate e askujt”, Balla pyetet për çështjen e SHISH, por thotë se nuk i komenton dosjet e SPAK
Partia Socialiste nuk do të marrë në mbrojtje askënd që shkel ligjin. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar Taulant Balla duke komentuar arrestimin e ish drejtoreshës së SHISH Vlora Hyseni.
“Ne nuk hyjmë në meritën e dosjeve, nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve dhe çdo zyrtar duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë të të gjitha formave në gjykatë. PS nuk është avokate mbrojtëse e askujt. Ata që fërkojnë duart nga sukseset e reformës në drejtësi, duhet të mos harrojnë që është PS që e mori angazhimin, në 2016, pulat erdhën më kokën poshtë dhe duart lart, votuan vetëm ndryshimet në kushtetuese, më pas nuk erdhën për të votuar asnjë prej ligjeve”, tha Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar, PS.
Balla nuk harroi të përmendë edhe numrin e lartë të personave që ndodhen në paraburgim.
“Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimin e lirisë para vendimeve të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike. Pyesni ChatGTB: Kush është delja e zezë e Europës sa i përket paraburgimit? Dhe do t’u japë përgjigjen: Shqipëria”, tha Balla.
Kreu i grupit socialist u ndal edhe tek reforma territoriale, për të cilën edhe demokratët kanë depozituar propozimin e tyre për hartën e re.
“Kur kam pasur ndonjëherë që kam dështuar në votime? Do të presësh njëherë. Nuk komentoj pa mbledhjen e grupit parlamentar. Di që Komisioni i Ligjeve po bën një punë të shkëlqyer. Përshëndes faktin që PD ka kuptuar që në demokraci konkurrohet me propozime. Ka ardhur një propozim, në ligj përcaktohet që çdo lloj drafti që vjen për ndryshime në hartën administrative-territoriale, duhet t’u shkojë këshillave bashkiakë”, u shpreh Taulant Balla.
Propozimi i mazhorancës për reformën territorial pritet të votohet në datën 8 tetor.




