(22:15) - Bashkimi i ka dhënë fund dominimit të Trepçës në garat e basketbollit kosovar.
Bashkimi të martën mbrëma ka fituar Superkupën e Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Trepçën në “Mizahir Isma” në Rahovec me rezultat 103:93.
Ndeshja është vendosur vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave. Por sekondat e fundit të kohës së rregullt ishin dramë e vërtetë. Nëntë sekonda para fundit, kur rezultati ishte 84:84, Mikaile Tmushiq dështoi të shënojë për tri pikë. Në anën tjetër, Shanon Shorter shënoi thuajse nga gjysma e fushës për 87:84 në të mirë të Bashkimit. Prizrenasit nisën festën, por ishte herët. Trepça e kishte edhe aksionin e fundit, përkatësisht 1.6 sekonda.
Drilon Hajrizi pasoi për Dardan Kapitin që gjuajti nga gjysma e fushës. Dhe shënoi për 87:87. Kështu ndeshja shkoi në kohën shtesë. Kishte tension pa nisur koha shtesë, ndërsa trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq u përjashtua për reagim ndaj arbitrave.
Në pesë minutat shtesë prizrenasit shfaqën dukshëm më tepër për të siguruar Superkupën e parë. Vazhdimi përfundoi 16:6 për Bashkimin.
Edhe
Bashkimi synon ta shfrytëzojë momentin jo të mirë të Trepçës
Trepça ka mbledhur trofetë e basketbollit kosovar në vitet e fundit. Ka tre tituj rresht, pesë Kupa rresht dhe deri të martën i kishte edhe dy Superkupa rresht. Për Bashkimin është trofeu i parë që nga viti 2018, kur u shpall kampion.
Ndeshja për Superkupë u ndërpre për gati një orë në fund të çerekut të dytë. Për shkak të hedhjeve të mjeteve plasëse në parket, arbitrat ndërprenë ndeshjen. Ajo vazhdoi vetëm pasi u larguan tifozët nga tribunat. Në sallë mbetën qindra shikues, të vendosur në ulëset në parket dhe pas koshave.
Shanon Shorter ishte më i miri te Bashkimi me 23 pikë, 13 kërcime e katër asistime. Adrio Bailey i kishte 23 pikë e 11 kërcime. Lejson Zeqiri po ashtu kishte ndeshje të madhe me 18 pikë e 13 kërcime.
Te Trepça më i miri ishte Jacory Payne me 22 pikë e tetë asistime. Matt Mobbley i realizoi 21 pikë. Tani Bashkimi e Trepça vazhdojnë garën për trofetë e tjerë. Po ashtu do të paraqiten në gara evropiane.
Superfinalja e Superkupës shkon në vazhdime mes tensioneve
(22:00) - Superkupa e Kosovës do të vendoset pas vazhdimit prej pesë minutash.
Dardan Kapiti shënoi në sekondën e fundit për 87:87. Trepça kishte vetëm 1.1 sekondë për aksionin e fundit. Dhe Kapiti realizoi nga gjysma e fushës.
Shanon Shorter shënoi po ashtu treshe për epërsinë 87:84 të Bashkimit.
Tensione të tjera në Rahovec
Nuk kanë të ndalur tensionet në ndeshjen e Superkupës mes Trepçës e Bashkimit. Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq është përjashtuar para fillimit të vazhdimit.
Vazhdon ndeshja për Superkupë
(20:46) - Pas ndërprerjes prej afro një ore, ka vazhduar ndeshja për Superkupë mes Trepçës e Bashkimit. Nga palestra janë larguar tifozët. Kanë mbetur dhjetëta shikues në ulëset për mysafirë.
Tifozët largohen, basketbollistët kthehen në parket
Edhe
Fitorja e dytë radhazi për Bashkimin
(20:38) - Tifogrupet “Torcida” dhe “Arpagjikët” janë larguar nga palestra “Mizahir Isma”.
Ndërkohë, lojtarët e Bashkimit dhe Trepçës janë kthyer në parket për të vazhduar ndeshjen e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja u ndërpre, kur kishin mbetur dy minuta drejt fundit të pjesës së parë.
Mitrovicasit janë duke e fituar ndeshjen 42:35.
Ndërpritet ndeshja e Superkupës në basketboll, nis zbrazja e tribunave
(20:20) - Ka nisur zbrazja e tribunave në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Të parët që janë larguar nga palestra janë tifo-grupi në përkrahje të Trepçës, “Torcida”.
Më pas do të largohet edhe tifo-grupi “Arpagjikët” e Bashkimit për të vazhduar ndeshja e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës është ndërprerë, kur kishin mbetur dy minuta drejt fundit të pjesës së parë.
Mitrovicasit janë duke e fituar ndeshjen 42:35.
(20:04) - Ndeshja e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës është ndërprerë, kur kishin mbetur dy minuta drejt fundit të pjesës së parë.
Superkupa është duke u zhvilluar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Palestra është mbuluar nga tymi për shkak të ndezjeve të fishekzjarrëve.
Edhe
Trepça e feston titullin e shtatë në Prizren
Të dyja tifozërit janë të pranishme në palestër, ndërsa basketbollistët janë larguar për në dhomat e zhveshjes.
Mitrovicasit janë duke e fituar ndeshjen 42:35.