web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pas takimit me gjigantët e teknologjisë/ Trump njofton marrëveshjen për vetërregullimin e IA-së

30 Shtator 2026, 07:53, Kosova & Bota CNA

Pas takimit me gjigantët e teknologjisë/ Trump njofton

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha amerikane të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kanë nënshkruar një marrëveshje për vetërregullimin e Inteligjencës Artificiale, me synim krijimin e një kuadri sigurie për zhvillimin e sistemeve të reja.

Njoftimi u bë pas një dreke të organizuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë disa prej figurave më të rëndësishme të industrisë së teknologjisë.

Marrëveshja, e quajtur “Angazhimi i Përbashkët për Përgjegjësitë Kufitare”, u prezantua nga presidenti amerikan si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e publikut nga rreziqet e teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale.

“Është pothuajse si një kushtetutë. Njerëzit më të mëdhenj në botë e kanë nënshkruar dhe unë e kam nënshkruar si president. Është vërtet një formë mbrojtjeje”, deklaroi Trump.

Megjithatë, marrëveshja është vullnetare dhe nuk parashikon detyrime ligjore, sanksione apo mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga autoritetet shtetërore. Kompanitë angazhohen të krijojnë dhe zbatojnë mekanizmat e tyre për monitorimin dhe vlerësimin e sigurisë së sistemeve të IA-së.

Paralelisht, Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që ndryshon terminologjinë e përdorur nga administrata federale për inteligjencën artificiale.

Sipas tekstit të urdhrit, agjencitë federale do të përdorin termat “Super Inteligjenca” dhe “SI” në dokumentet zyrtare dhe materialet e politikave, duke shmangur termat “Inteligjencë Artificiale” dhe “IA”.

Masa vjen pas deklaratave të mëparshme të Trump për një fazë të re të zhvillimit të teknologjisë, të cilën ai e ka lidhur me sistemet e inteligjencës artificiale të avancuar.

Marrëveshja e kompanive parashikon katër nivele kontrolli dhe vlerësimi:

-Kompanitë duhet të zbatojnë mekanizma të brendshëm për monitorimin e sigurisë gjatë trajnimit të modeleve.

- Një ekip i brendshëm duhet të verifikojë nëse këta mekanizma funksionojnë në mënyrë efektive.

- Vlerësues të jashtëm do të kenë mundësi të shqyrtojnë në mënyrë të pavarur proceset e sigurisë.

- Këshilla të pavarura do të shqyrtojnë raportet dhe rezultatet e këtyre vlerësimeve.

Megjithatë, marrëveshja nuk i detyron kompanitë të publikojnë rezultatet e vlerësimeve. Gjithashtu, ato ruajnë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e vlerësuesve të jashtëm dhe strukturave të mbikëqyrjes.

Në takimin në Shtëpinë e Bardhë morën pjesë, Elon Musk, CEO i Meta-s Mark Zuckerberg, themeluesi i Amazon Jeff Bezos, CEO i Google Sundar Pichai, themeluesi dhe kryetari i Nvidia-s Jensen Huang, bashkëthemeluesi dhe presidenti i OpenAI Greg Brockman dhe CEO i Anthropic Dario Amodei.

Takimi u nxit nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili tha se duhet gjetur një ekuilibër mes sigurisë së sistemeve të IA-së dhe synimit për t'i bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës një forcë udhëheqëse në këtë sektor. Zuckerberg e përshkroi marrëveshjen si një hap të parë drejt rritjes së besimit të publikut te inteligjenca artificiale.

Marrëveshja vjen në një periudhë kur kompanitë e inteligjencës artificiale përballen me presion në rritje nga ligjvënës, studiues dhe pjesë të vetë industrisë për forcimin e standardeve të sigurisë dhe mbikëqyrjes. Administrata Trump, ndërkohë, ka argumentuar se rregullat shumë të ashpra mund të ngadalësojnë inovacionin amerikan dhe të dobësojnë konkurrencën e SHBA-së me Kinën në teknologjitë e avancuara. /CNA





Lajmet e fundit nga