Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, mbërrin sot në Tiranë, në nisje të vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor.
Të lidhura
None found
Pas qëndrimit në Shqipëri, zyrtarja e lartë evropiane do të vijojë axhendën në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Tiranë, von der Leyen pritet të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Bisedimet do të përqendrohen te integrimi evropian i Shqipërisë dhe hapat që duhet të ndërmerren në vijim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të shkojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti. Po më 1 tetor, ajo do të udhëtojë edhe në Podgoricë, ndërsa vizita në rajon do të përfundojë më 2 tetor në Shkup.
Reformat, progresi i vendeve në perspektivën evropiane dhe integrimi gradual i rajonit në strukturat dhe tregun e Bashkimit Evropian pritet të jenë ndër temat kryesore të diskutimeve në këto katër shtete të Ballkanit Perëndimor.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij instrumenti, BE synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, zbatimin e reformave dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun evropian.
Kjo shënon vizitën e gjashtë të Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Gjatë turit, ajo pritet të vizitojë gjithashtu projekte që janë financuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
