AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Reportazhe

Të mbytura me dosje dhe pa siguri: Mjerimi i godinave të gjykatave në Shqipëri

Harta e re gjyqësore e tre viteve më parë ka përkeqësuar situatën në disa gjykata të vendit, të cilat e kryejnë funksionin në godina të amortizuara dhe të përmbytura nga dosjet gjyqësore, ndërkohë që kërkesat për zgjidhje bien në vesh të shurdhër.

Edmond HoxhajEdmond HoxhajngaEdmond Hoxhaj
14 seconds më parë
në Artikull kryesor, Reportazhe
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
dosjet foto 1
Një punonjëse e Gjykatës së Apelit mes stokut të dosjeve. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

Mëngjesin e së hënës, holli i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë është i tejmbushur me njerëz në pritje të proceseve gjyqësore. Të pandehur, familjarë dhe avokatë kalojnë fillimisht përmes kontrollit, për t’u paketuar më pas në sallën e pritjes prej nga njoftohet fillimi i seancave.

E ndërtuar në vitin 1957 për të qenë një rajon policie, godina e vjetër trekatëshe e Gjykatës së Apelit e ka shtrirë juridiksionin e saj në të gjithë Shqipërinë pas miratimit të hartës së re gjyqësore të vitit 2023.

Por në vend që t’u jepte zgjidhje çështjeve të prapambetura, situata në Gjykatën e Apelit është sot në kufijtë e së pamundurës për shkak të mungesës së ambienteve për stafin e dyfishuar dhe dosjet e grumbulluara nga i gjithë vendi.

Korridoret e ngushta të kësaj gjykate janë shndërruar tashmë në labirinthe të mbushura me dosje, të cilat i gjen të stivosura në dollapë, rafte dhe karrige. Në ajër kutërbon aroma e mykut dhe e lagështirës.

Për arsye të mungesës së hapësirave, të gjitha dhomat e këshillimit ku gjyqtarët tërhiqen për të diskutuar dhe marrë vendime janë kthyer në ‘arkiva të përkohshme’ për çështjet në pritje të gjykimit. Gjatë tre viteve të fundit, stoku i dosjeve është rritur nga 33 mijë në 48 mijë.

Nevoja për hapësira e ka detyruar administratën që të gjejë zgjidhje rrethanore; si për shembull ndarjen me kartonxhes të një salle gjykimi, për të krijuar një hapësirë pa dritare si dhomë këshillimi. Por tashmë është krijuar një problem i ri.

“Kur futemi në dhomë këshillimi, i nxjerrim jashtë sallës palët që të mos dëgjojnë çfarë diskutojmë,” thotë një gjyqtare në kushtet e anonimatit.

“Nuk ka asnjë masë sigurie. Sado gjyqtar i mirë të jesh, këtu nuk punohet. Duhet të rrinë këtu me ne që ta kuptojnë,” shtoi ajo.

Mungesa e hapësira dhe degradimi i godinave nuk është një problem i izoluar vetëm për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Sipas të dhënave që BIRN siguroi përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe bisedave me drejtues të disa gjykatave, mungesa e ambjenteve është kthyer në pengesë për ushtrimin e funksionit edhe në gjykata të tjera në gjithë vendin.

Sipas tyre, ky nuk është vetëm një problem infrastrukture, por një çështje e administrimit të drejtësisë, rritjes së cilësisë së shërbimeve gjyqësore dhe respektimit të standardeve të një sistemi efikas, të sigurt dhe në shërbim të qytetarëve.

Përballë kësaj situate emergjente, qeveria ofron si zgjidhje premtimet.

Kryeministri Edi Rama prezantoi më 12 shkurt një program për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë – një kompleks për sistemin e drejtësisë, që edhe sipas parashikimeve më optimiste pritet të përfundojë në vitin 2031.

KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve të BIRN.

Kërkesat bien në vesh të shurdhër

korridori i gjykateskorridori i gjykates
Korridoret e Gjykatës së Apelit janë të bllokuara nga raftet e mbushura me dosje. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

BIRN mësoi se gjendja e mjerueshme në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm përsëritet pothuajse njësoj edhe në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, Gjykatën e Tiranës si dhe gjykatat e disa rretheve.

Gjykata e Apelit Administrativ ka aktualisht në gjykim mbi 24 mijë çështje, nga të cilat rreth 17 mijë i përkasin atyre të mbartura nga vitet e kaluara. Për uljen e stokut të dosjeve janë punësuar së fundmi 25 ndihmës ligjorë, por nuk ka hapësira për akomodimin e tyre.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi në korrik të këtij viti një kontratë qiraje prej 11 mijë eurosh në muaj mes Gjykatës Administrative të Apelit dhe kompanisë “Gener 2” për marrjen me qira të një hapësire për akomodimin e dosjeve dhe ndihmësve ligjorë.

Pas këtij vendimi, Gjykata Administrative e Apelit ju drejtua sërish me kërkesë KLGJ-së, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë e Inovacionit, duke kërkuar një zgjidhje, me qëllim që t’i jepet fund stokut të dosjeve.

Gjykata Administrative e Apelit i tha BIRN se përgjigja e vetme i kishte mbërritur nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila bëri me dije se nuk dispononte ambiente të lira dhe të përshtatshme për këtë qëllim.

E mbetur pa zgjidhje, Gjykata Administrative e Apelit ka kërkuar mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke e konsideruar situatën të papranueshme. Ajo kërkoi gjithashtu që të nxiten KLGJ dhe strukturat përgjegjëse të qeverisë për të vepruar.

Edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë gjendet në kushte të njëjta. Kërkesat e herëpashershme e të vazhdueshme për ambjente shtesë, drejtuar KLGJ-së, nuk kanë dhënë zgjidhje. Po ashtu, i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të mundësojë vendosjen në dispozicion të godinës së Shërbimit të Provës, që gjendet pranë godinës së Dhomës Penale. Po ashtu, është zhvilluar takim dhe me diplomatë të një vendi partner, si dhe me një grup deputetësh të komisionit për nisma qytetar, por pa një rezultat konkret.

Pa zgjidhje kanë mbetur edhe kërkesat e përsëritura të gjykatave të Lezhës, Fierit dhe Sarandës.

Kryetari i Gjykatës së Lezhës, Lirim Bulica i tha BIRN se godina e tyre ka vetëm tre salla gjykimi të mirëfillta, ndërkohë që dy të tjera janë sajuar në bodrum dhe disponojnë vetëm sistemin audio. Ai shton se zyrat e gjyqtarëve janë me sipërfaqe minimale, ndërsa ato të stafit administrativ janë me kushte mizerabël.

“Për arkivat kanë shërbyer bodrumet, por pasi u bë një sallë gjyqi në bodrum, u transferuan dosjet në ambjentet e Gjykatës së Kurbinit. Por edhe ambjentet atje do të ezaurohen së shpejti,” thotë Bulica.

Ai thekson se kishte kërkuar zgjidhje në KLGJ dhe në Ministrinë e Drejtësisë, por pa asnjë rezultat. Madje, Bulica thotë se pavarësisht kërkesave të tij, Ministria e Drejtësisë i ka komunikuar se donte dy zyra në Kurbin, ç’ka do ta përkeqësonte gjendjen.

Edhe kreu i Gjykatës së Fierit, Noel Veizi, i tha BIRN se ka nevojë urgjente për një godinë. Kërkesat e tij për t’u transferuar në ambjentet e ish-universitetit UFO, një godinë e konfiskuar nga shteti, janë refuzuar.

Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Entiljano Spahiu tha gjithashtu se kapacitetet aktuale të godinës janë të pamjaftueshme për nevojat e funksionimit normal të gjykatës dhe për ofrimin e një shërbimi të përshtatshëm për publikun.

“Një problematikë e veçantë paraqet mungesa e ambienteve të dedikuara për publikun dhe avokatët. Godina nuk disponon ambiente pritjeje apo qëndrimi për qytetarët që paraqiten për seanca gjyqësore ose për marrjen e shërbimeve administrative,” tha Spahiu.

Ndryshe nga gjykatat e tjera, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm mori një përgjigje nga Këshilli i Ministrave, i cili në mars të vitit 2025 i transferoi asaj godinën e drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj.

Megjithatë, ka një problem; godina është e papërdorshme për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe po i nënshtrohet një rikonstruksioni, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Vonesa të tilla mund të jenë të rrezikshme për fatin e mijëra dosjeve.

“Grumbullimi i dosjeve, përveç vështirësive në administrimin e tyre, rrit rrezikun për dëmtimin e dokumentacionit dhe ndikon në efikasitetin e trajtimit të çështjeve. Po ashtu, rrethanat krijojnë edhe problematika të sigurisë, duke përfshirë rrezikun nga zjarri dhe pengimin e lëvizjes në ambientet e institucionit,” tha Gjykata e Apelit në një përgjigje me shkrim.

Kushtet e sigurisë ‘në nivel zero’

te pandehurit ne gjykaten e apelitte pandehurit ne gjykaten e apelit
Policia shoqëron të pandehurit në Gjykatën e Apelit. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

Problemet me ambientet lënë gjithashtu të hapur çështjen e sigurisë.

Më 16 tetor të vitit të kaluar, gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit – një ngjarje e paprecedentë që u shoqërua me tronditje dhe shqetësime për sigurinë e sistemit gjyqësor.

Një vit më pas, mungesa e kalimeve të posaçme për të paraburgosurit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm bën që të njëjtat korridore të përdoren prej tyre, gjyqtarëve dhe punonjësve të administratës.

Edhe në Gjykatat e Fierit dhe Sarandës ngrihen shqetësime për sigurinë.

“Në korridor nuk ka vend dhe kalojnë gjyqtarët, qytetarët dhe të paraburgosurit së bashku. Në shumicën e rasteve, kur duhet të kalojnë të paraburgosur me rrezikshmëri të lartë shoqërore, qytetarët nxirren jashtë, pasi elementët e sigurisë lënë shumë për të dëshiruar për shkak të ambjenteve të godinës,” tha për BIRN kreu i Gjykatës së Fierit, Noel Veizi.

“Kushtet e sigurisë janë në nivel zero. Jo pa arsye, brenda ambjenteve të gjykatës, janë kryer dy tentativa vrasje, një rast ndaj një gjyqtareje,” shtoi ai.

Edhe kreu i Gjykatës së Sarandës, Entiljano Spahiu u ankua për kushtet e sigurisë.

“Pozicionimi i saj e ekspozon drejtpërdrejt gjykatën ndaj rrugës dhe hapësirës publike, ndërkohë që konfigurimi ekzistues nuk mundëson krijimin e perimetrave dhe zonave të nevojshme të sigurisë,” tha Spahiu.

“Po ashtu, mungon hapësira e nevojshme në hyrje për instalimin dhe funksionimin e pajisjeve të kontrollit të sigurisë, përfshirë skanerin,” përfundoi ai.

dosjet e gjyqtarevedosjet e gjyqtareve
Dosjet e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

 

Etiketa: Entiljano SpahiuGjykata Administrative e ApelitGjykata e Apelit te Juridiksionit te PergjithshemGjykata e Rrethit FierGjykata e Rrethit LezhëGjykata e Rrethit SarandëGjykata e Rrethit TiranëLirim BulicaMungesa e godinaveNoel VeiziSistemi gjyqesor
dosjet foto 1

Të mbytura me dosje dhe pa siguri: Mjerimi i godinave të gjykatave në Shqipëri

08:04 | 30/09/2026
shabani

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për Avokatin e Popullit

16:36 | 29/09/2026
486575866 1050025403821424 5625365685983950215 n

I fuqishëm, me lidhje në pushtet, agresiv: Prodhuesi çek i armëve CSG fiton nga riarmatimi i Perëndimit

12:49 | 29/09/2026
sexual dysfunction montenegro

Disfunksioni seksual: Gratë në Mal të Zi vuajnë në heshtje, shpesh pa trajtim

12:06 | 29/09/2026
Sfida e Trump në Lindjen e Mesme

Letër nga Uashingtoni: I vënë në vështirësi, Trump i kthehet taktikave ballkanike

11:10 | 29/09/2026
jo vetëm kushner

Jo vetëm Kushner: Tre resorte të tjera po projektohen në zonën e mbrojtur të Zvërnecit

07:26 | 29/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.