Maran pas fitores ndaj San Marinos: Lojtarët kanë përthithur filozofinë time, tani mendojmë për Finlandën
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e kuqezinjve në fitoren 3-0 ndaj San Marinos, në transfertë. Në një prononcim pas ndeshjes, Maran veçoi veçanërisht pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa shpjegoi se në fraksionin e dytë skuadra zgjodhi të menaxhonte avantazhin dhe të ruante energjitë për sfidën e radhës ndaj Finlandës.
“Pjesa e parë më pëlqeu, sepse ishim më kërkues si skuadër. Në pjesën e dytë e kishim fokusin te menaxhimi, sepse disa lojtarë ishin edhe me kartonë”, deklaroi Maran.
Tekniku italian theksoi gjithashtu se sfida ndaj San Marinos ishte një mundësi për t’u dhënë minuta futbollistëve të rinj.
“E pashë si një shans edhe për t’u dhënë mundësi lojtarëve të rinj. Besoj se kemi bërë mirë. Dëshironim të mendonim edhe për atë që na pret, pra ndeshjen përballë Finlandës. Kemi pasur 14 goditje në portë, që do të thotë se e dominuam sfidën”, u shpreh ai.
Maran u ndal edhe te mënyra e lojës së Kombëtares, duke vlerësuar ritmin e treguar nga skuadra dhe përshtatjen e futbollistëve me filozofinë e tij.
“Është një Kombëtare që ka ritëm dhe kjo më pëlqen. Besoj se lojtarët e kanë përthithur mjaft mirë filozofinë time të të luajturit futboll”, tha trajneri kuqezi.
Me fitoren 3-0 ndaj San Marinos, Shqipëria vijon aventurën në Ligën e Kombeve, ndërsa tashmë vëmendja është e përqendruar te përballja me Finlandën, e cila pritet të jetë një sfidë e rëndësishme për kreun e grupit.

