
Tiranë- Një tjetër veprimtari e mashtrimit online është goditur nga policia duke arrestuar në flagrancë katër persona. Konkretisht Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç së bashku me një 23 vjeçare e cila u procedua penalisht, dyshohet se mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian.
Të arrestuarit hiqeshin si avokatë që do të ndihmonin personat e mashtruar për të rikuperuar shumat e humbura nga mashtrimet online në këmbim të një pagese prej 10 mijë eurosh.
Ambienti rezultoi në pronësi të Taulant Beleraj, 45 vjeç i cili është shpallur në kërkim nga policia. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Versus.al

