Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona, të cilët përmes platformave online mashtronin qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të operacionit “Investing” u shpall në kërkim edhe pronari i ambientit ku zhvillohej aktiviteti, shtetasi Taulant Beleraj.
Sipas Policisë, ndërhyrja u krye në një ambient në rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune. Aty u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit Emirjon Xhafa, Genci Ndoni, Ekzon Dervishi dhe Eroll Hyslihaka, si dhe shtetasja E. A., të cilët dyshohet se mashtronin qytetarët evropianë. Kjo e fundit u procedua ne gjendje te lire.
“Nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit T. B., i cili, në bashkëpunim me shtetasit e mësipërm, e administronte atë me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. B., 45 vjeç, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, u procedua në gjendje të lirë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.












