Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona, të cilët dyshohet se mashtronin qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian përmes platformave online.
Operacioni, i koduar “Investing”, është zhvilluar në një ambient në rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune për zhvillimin e aktivitetit të dyshuar të paligjshëm.
Në flagrancë u arrestuan shtetasit Emirjon Xhafa, Genci Ndoni, Ekzon Dervishi dhe Eroll Hyslihaka, ndërsa shtetasja E. A. u procedua në gjendje të lirë.
Sipas Policisë, nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit Taulant Beleraj, i cili, në bashkëpunim me personat e tjerë, dyshohet se e administronte atë për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.
Ndërkohë, Taulant Beleraj, 45 vjeç, është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa E. A., 23 vjeçe, është proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.












