Skema e dyfishtë/ Pasi u merrnin paratë përmes bursave, u prezantoheshin viktimave si “avokatë” dhe u zhvatnin deri në 10 mijë euro
Detaje të reja dalin nga operacioni policor në Tiranë, ku është goditur një bazë call center-i që dyshohet se përdorej për mashtrimin e shtetasve të huaj përmes platformave online.
Ka qenë Krimi Ekonomik që ka zbuluar ambientin ku funksiononte baza e call center-it. Gjatë kontrolleve, brenda saj janë gjetur edhe blloqe me emrat e klientëve që dyshohet se ishin mashtruar.
Sipas informacioneve të reja, skema nuk lidhej vetëm me bursa fiktive. Pasi klientët ishin mashtruar dhe kishin humbur paratë, personat e përfshirë dyshohet se i kontaktonin sërish në telefon.
Në kontaktin e dytë, ata u prezantoheshin viktimave si avokatë, duke u krijuar përshtypjen se mund t’i ndihmonin për të rikuperuar paratë e humbura.
Më pas klientëve u kërkoheshin shuma të tjera parash, që varionin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar Emirjon Xhafa, Genci Ndoni, Ekzon Dervishi dhe Eroll Hyslihaka.
Ndërkohë, Taulant Beleraj është shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë skemën e dyshuar të mashtrimit dhe mënyrën se si kontaktoheshin dhe trajtoheshin personat që kishin rënë më herët pre e saj.




