Ngordhja masive e peshqve në rezervuarin e Lushnjës/ Nis pastrimi i zonës, ushtria dhe bashkia angazhohen për largimin e tonelatave të gjallesave

30/09/2026 10:15

Dy ditë pas ngordhjes së tonelatave të peshkut në rezervuarin e Kasharit në Lushnje, ka nisur pastrimi i zonës.

Në këtë punë janë angazhuar forcat e ushtrisë dhe punonjësit e Bashkisë Lushnje. Thasët me gjallesat e ngordhura do të groposen në ish-fushën e aviacionit në Pluk, një fushë e cila, sipas bashkisë, është e miratuar dhe e studiuar nga specialistët e fushës.

Për të parë situatën nga afër ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Sipas tij, do të punohet për largimin e një rrjete të madhe peshkimi, e cila ka bllokuar hyrjen shkarkuese të rezervuarit.

Shkarkimi i ujit të rezervuarit ka nisur për shkak të një investimi që do të bëhej nga bashkia në përforcimin e shkarkuesit të ujit, pasi në vitin 2024 Komiteti i Digave kishte përcaktuar një rrezik çarjeje të kësaj dige.

Firma Fled SHPK, e cila do të kryente punimet, ka nisur shkarkimin 6 muaj më parë. Ajo që nuk dihej ishte sasia e peshkut që ishte në rezervuar dhe vendndodhja e rrjetës.

Vlera e projektit është 330 milionë lekë të vjetra për 120 ditë të rehabilitimit të shkarkuesit të rezervuarit.

Policia ka nisur një hetim kryesisht për gjetjen e fajtorëve që krijuan këtë situatë. Deri tani janë marrë në pyetje drejtuesit e firmës, administratori i rasatit të peshkut, personi që e ka marrë liqenin për peshkim.

Top Channel