Juventusi po përgatitet të sigurojë një mbështetje të rëndësishme financiare, pasi drejtuesit e klubit kanë propozuar rritjen e kapitalit aksionar deri në 250 milionë euro.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të pasqyrave financiare, fondet synojnë të garantojnë qëndrueshmërinë e klubit në të ardhmen dhe ta ndihmojnë Juventusin të mbetet konkurrues në elitën e futbollit evropian.
Procesi po drejtohet nga aksionari kryesor, Exor, i cili po angazhohet për stabilizimin e financave të klubit torinez. Holding-u ka konfirmuar tashmë një pagesë të parë prej 60 milionë eurosh, shumë që do të regjistrohet si paradhënie në kuadër të pjesëmarrjes së tij në rritjen e ardhshme të kapitalit.
Bordi drejtues pritet t’u paraqesë aksionarëve kërkesën për miratimin e këtij mandati gjatë mbledhjes që është planifikuar të zhvillohet më 3 nëntor.
Propozimi, i bazuar në nenin 2443 të Kodit Civil italian, do t’i japë klubit mundësinë për ta kryer rritjen e kapitalit në një ose disa këste, deri në kufirin prej 250 milionë eurosh, duke përfshirë edhe çdo prim të mundshëm.
Ky financim konsiderohet thelbësor për ruajtjen e nivelit konkurrues të Juventusit në fushën e futbollit, ndërsa një pjesë e shumës mund të orientohet edhe drejt investimeve strategjike jashtë saj.
Një nga objektivat kryesore është përmirësimi i aseteve të paluajtshme me rëndësi strategjike. Në këtë kuadër, modernizimi i “Allianz Stadium” mbetet ndër prioritetet kryesore të klubit.
