Nga Saranda në përrfaqësuesen e SHBA-së, Adri Mehmeti titullar dhe në qendër të vëmendjes

30 Shtator 2026, 11:20Sport TEMA
Nga Saranda në përrfaqësuesen e SHBA-së, Adri Mehmeti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfuan me rezultatin 4-2 ndaj Kilit në miqësoren e zhvilluar në St. Louis, në një takim që solli edhe një moment të veçantë për talentin me origjinë shqiptare, Adri Mehmeti.

Mesfushori 17-vjeçar nga Saranda e nisi ndeshjen si titullar për SHBA-në, duke marrë kështu një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare.

Mehmeti kishte debutuar pak ditë më parë, kur luajti si zëvendësues në fitoren 4-1 ndaj Perusë.

Ftesa nga trajneri Mauricio Pochettino erdhi në një moment të rëndësishëm për karrierën e tij, teksa ai po zhvillon një sezon shumë pozitiv me Red Bull New York në MLS. Klubi amerikan konfirmon se Mehmeti ka qenë pjesë e formacionit titullar në shumicën dërrmuese të ndeshjeve të tij këtë sezon.

Mehmeti ka origjinë nga Saranda dhe në të kaluarën ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në nivelin U-15, përpara se të vazhdonte rrugëtimin me strukturat e SHBA-së. Kjo e bën situatën e tij veçanërisht interesante për të ardhmen ndërkombëtare.

Edhe pse tashmë ka bërë dy paraqitje me ekipin e parë amerikan, situata e tij ndërkombëtare nuk është domosdoshmërisht e mbyllur. Mediat kanë raportuar se Mehmeti është i kualifikueshëm për Shqipërinë, ndërsa rregullat e FIFA-s parashikojnë mundësi të caktuara për ndryshimin e përfaqësimit ndërkombëtar për lojtarët që plotësojnë kriteret përkatëse.

Në MLS këtë sezon ka regjistruar 1 gol dhe 4 asistime, duke konfirmuar rritjen e tij të shpejtë në futbollin amerikan.

Lini një Përgjigje