“Paraburgimi duhet të jetë masa e fundit”, Rama: Kemi një kulturë të vjetër të varësisë së drejtësisë ndaj kultit të forcës
TIRANË – Kryeministri Edi Rama është ndalur te problematikat e sistemit të paraburgimit, gjatë prezantimit të projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Rama iu referua një studimi të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, të vitit 2006, sipas të cilit 41% e personave të paraburgosur nuk e kishin takuar mbrojtësin e tyre përpara seancës ku ishte vendosur për heqjen e lirisë, ndërsa 59% e avokatëve nuk kishin qenë të pranishëm gjatë marrjes së parë në pyetje të klientëve të tyre.
“Në vitin 2006, 10 vjet përpara Reformës në Drejtësi, një studim i Prezencës së OSBE-së në Tiranë ka konstatuar se 41% e të paraburgosurve nuk e kishin takuar mbrojtësin e tyre përpara seancës ku u vendos për heqjen e lirisë së tyre, ndërsa 59% e avokatëve nuk kishin qenë të pranishëm në marrjen e parë në pyetje të klientëve”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, fakti që problematika është e hershme e bën situatën edhe më të rëndë.
“Fakti që kjo e keqe është e hershme i bën të dhënat edhe më të rënda. Vijimësia, inercia negative na tregon se nuk kemi para syve një pasojë që ka lindur rishtas nga pavarësimi i drejtësisë, por kemi në mesin tonë një kulturë të vjetër varësie të drejtësisë ndaj kultit të forcës”, u shpreh ai.
Rama u ndal edhe te përdorimi i paraburgimit, duke theksuar se kjo masë duhet të jetë një alternativë e fundit, por sipas tij në praktikë ajo ka marrë një rol qendror në procesin penal.
“Paraburgimi, i cili duhet të jetë masa e fundit, është qendra e gravitetit të procesit penal”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, një tjetër problem lidhet me mënyrën se si kërkohet dhe vendoset paraburgimi. Ai tha se në Shqipëri masat e tilla shpesh kërkohen dhe vendosen përmes formulave të gatshme.
“Paraburgimi në Shqipëri kërkohet rëndom me formula të gatshme dhe vendoset duke përsëritur arsyetimin e prokurorit, pa një analizë konkrete të profilit të personit dhe të mundësisë për masa më të buta”, tha Rama.
Kryeministri tha se Gjykata e Strasburgut ka konstatuar probleme sa i përket vazhdimit të masave shtrënguese.
“Gjykata e Strasburgut ka konstatuar edhe mungesën e një shqyrtimi real për vazhdimin e masave shtrënguese”, tha ai.
Në përfundim, Rama e cilësoi paketën e ndryshimeve si një ndërhyrje ndaj problematikave konkrete të sistemit.
“Prandaj kjo paketë është një përgjigje konkrete ndaj një problemi konkret, real”, përfundoi kryeministri.




