
Teksa prezantoi paketën e re të Kodit të Procedurës Penale që pritet të votohet në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se masa e paraburgimit duhet të jetë e fundit, ndërsa shtoi se për çdo vepër penale me dënim maksimal nën 5 vite, s'duhet të ketë më arrest me burg.
“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama. Versus.al

