Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një konferencë të mbajtur më ekspertë të huaj dhe përfaqësues të institucioneve të pushtetit gjyqësor në vend për të prezantuar paketën e re ligjore që synon të ndryshojë 1/5 e Kodit të Procedurave Penale. *Duke u përqendruar tek prezumimi i pafajësisë, Rama përsëriti se Shqipëria ka rekord tejet negative sa i takon masës së arrestit me burg duke përmendur faktin se 61% e të arrestuarve janë në paraburgim, shifër 2 herë më e lartë se statistikat e Rusisë për këtë fushë. *Në këtë kuadër, Rama tha se për veprat penale për të cilat dënimi maksimal nuk i kalon 5 vite burg, nuk do të ketë më masë arrest me burg. Më tej shtoi se edhe telefonat e sekuestruar nuk do të mund të hapen pa vendim gjykate dhe pa u përcaktuar aplikacioni ku do të kontrollohen. *Sa u takon procedimeve penale, Rama tha se duhet të nisin atë ditë që prokurori merr dijeni dhe jo të mbahen me vite në sirtar. Gjithashtu pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe përdorimi i përgjimeve të cilat do të ndalohen për publikim sidomos në rastin kur nuk bëhet fjalë për rastin penal. Prezantimi i paketës së re vjen menjëherë pas skandalit të fundit të SHISH.
“Personi duhet të njoftohet”, Rama për hetimet penale: S’mund të mbahen në sirtar si hije në kokën e dikujt

Në ndryshimin e pestë të kodit të procedurës penale, kryeministri Edi Rama tha se duhet që procedimet penale të nisin në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën penale dhe jo të mbahen në sirtar për t’u përdorur vite më vonë.
Ai tha se duhet të njoftohet edhe personi i hetuar dhe që prokurori të provojë përse çështja ka gjasa të përfundojë në dënim.
“Procedimet duhet të regjistrohen në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe ti kërkojë gjykatës verifikimin e datës.
Hetimet e fshehura në kohë të mbajtur në sirtar ndër vite dhe të përdorura si hije në kokën e dikujt nuk mund të jenë rutinë e shtetit. Në gjyq duhet të shkojnë cështjet që kanë prespektivë reale. Prokurori duhet të tregojë përse cështja ka gjasa të përfundojë me dënim”- theksoi kreu i qeverisë. Versus.al
Sekuestrimi i telefonave nga prokuroria, Rama: Nuk do të lejohet hapja pa autorizim të gjykatës

Kreu i qeverisë Edi Rama teksa publikuar disa prej ndryshimeve në kodin e procedurës penale tha se nuk do të lejohet më hapja e telefonit të sekuestruar pa vendimin e gjykatës duke përcaktuar edhe aplikacionet që mund të mbikëqyren.
“Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi, por arkivi i jetës së një njeriu. Prandaj sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më një mënyrë një leje e pakufijshme për të parë gjithçka që mban. Mund të sekuestrohet pajisja, por për ta hapur apo përpunuar përmbajtjen e telefonit, duhet autorizim i saktë i gjykatës e cila do përcaktojë cilat aplikacione do hapen dhe çdo material i nxjerrë pa lidhje me hetimin, duhet të asgjësohen.
Edhe për përgjimet, duhet të transkiptohen vetëm ato që kanë lidhje me hetimin. Jeta personale e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material të përdorshëm për presion apo konsum mediatik”- tha kryeministri. Versus.al
Paketa e re ligjore, Rama: Për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të ketë më arrest me burg

Teksa prezantoi paketën e re të Kodit të Procedurës Penale që pritet të votohet në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se masa e paraburgimit duhet të jetë e fundit, ndërsa shtoi se për çdo vepër penale me dënim maksimal nën 5 vite, s'duhet të ketë më arrest me burg.
“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama. Versus.al
Gati ndërhyrja tek pushteti gjyqësor, Rama: 61% e të burgosurve mbahen në paraburgim, pasqyrë rrënqethëse

Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në konferencën që mbahet për një paketë të re ligjore që konstaton me ndryshime në Kodin e Procedurës Penale sa i takon prezumimit të pafajësisë.
Rama tha se tanimë është gati paketa e re e cila sipas tij erdhi si domosdoshmëri pasi Shqipëria ka numrin më të lartë të të paraburgosurve në Europë.
“10 vjet më parë i dorëzuam pushtetit gjyqësor shpatën e ndëshkimit. Sot duam të bëjmë një hap tjetër më modest në përmasa, por jo më pak kuptim plotë. Duam t’i japim më shumë ekuilibër pushtetit të drejtësisë në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë ligjin mbi drejtësinë, po drejtësia të jetë fuqia e barazisë të të gjithëve përpara ligjit. Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot publikisht.
Kjo është ndërhyrja e parë që trajton prezumimin e pafajësisë në procesin penal. Kjo do të thotë se nëse deri tani e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, me këtë paketë i japim peshën që meriton krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit.
Nisja e diskutimeve për këtë paketë u nxit nga alarmi i ngritur nga komiteti europian për parandalimin e mekanizmit të torturës që na vunë përpara një pasqyrë rrënqethëse. Në Shqipëri peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit.. edhe sot po të pyesësh ChatGPT se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë Evropës, përgjigjia vjen shumë e hidhur: Albania. Raporti më i fundit i Këshillitt ë Europës tregon se 61% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë”- tha Rama. Versus.al

