Studentja 21-vjeçare bie nga kati i tetë, mbijeton mrekullisht: Nuk mund ta besoj që jam gjallë
Një studente 21-vjeçare e Universitetit të Xhorxhias në SHBA ka mbijetuar pas një rënieje nga kati i tetë i një pallati. Kristin Sargent ndodhet në kujdes intensiv, me plagë dhe fraktura të rënda, ndërsa familjarët e saj shprehen mirënjohës që ajo ka arritur të mbijetojë.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, në kompleksin e apartamenteve “The Rambler”, në West Broad Street, në Athens të Xhorxhias. Sipas raportit të policisë, 21-vjeçarja dyshohet se po kërcente mbi një divan ose dyshek ajri pranë një dritareje të hapur, kur ra përmes rrjetës mbrojtëse dhe përfundoi në tokë.
Babai i saj, Richard Sargent, tregoi për mediat amerikane se vajza kishte komunikuar me një shoqe pas aksidentit dhe i kishte thënë: “Jam gjallë. Nuk mund ta besoj që jam gjallë”. Ai tha se vajza ka pësuar dëmtime të rënda, por familja ndihet me fat që ajo është ende gjallë.
Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, studentja u gjet pranë pishinës së kompleksit, në një oborr të brendshëm në katin e dytë të ndërtesës. Autoritetet dyshojnë se gjatë rënies ajo mund të ketë goditur një stol metalik, ku u gjetën gjurmë gjaku dhe dëmtime në një pjesë të tij.
Ngjarja ndodhi pas fitores së ekipit të futbollit amerikan të Universitetit të Xhorxhias ndaj Oklahoma Sooners me rezultatin 41-13. Sargent është studente në vitin e fundit dhe studion financë dhe marketing. Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura deri tani, policia e ka klasifikuar ngjarjen si aksident, ndërsa hetimet vijojnë. Autoritetet kanë bërë të ditur se 21-vjeçarja pritet të mbijetojë.




