Më 28 shtator u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare, në kuadër të arrestimit të ish-kreut të SHISH-it, ndërsa mësohet se pasi të kryhet një auditim i thellë për të kuptuar nëse skandali me Vlora Hysenin ka pasur ndikim në funksionim të institucionit, do të zhvillohet dhe një mbledhje e dytë.
Ndërsa bëhet me dije se auditimi do të kryhet nga vetë SHISH dhe rezultatet e tij pritet t’i përcillen më pas Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Lajmin e ka bërë me dije kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë, Bledi Çuçi i cili u shpreh se duhet të lihet që të mos ndërhyhet te drejtësia, në mënyrë që kjo e fundit të bëjë punën e saj siç duhet.
“Në lidhje me këtë çështje, Presidenti mblodhi Këshillin e Sigurisë ditën e hënë dhe aty pati një informacion paraprak nga SHISH. Po në Këshill u la detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme, nëse ka, për funksionimin e SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet edhe më gjerësisht pasi të jetë bërë ky auditim.
Edhe komisioni jonë ka një rol në këtë aspekt, por duhen ndjekur të gjitha hallkat shtetërore dhe së pari duhet lënë Prokuroria të hetojë deri në fund përfshirjen e ish-drejtoreshës së SHISH në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë ose jo. Pasi të kemi një qartësim të situatës, edhe ne kemi instrumentet tona për të thirrur për të raportuar institucionet e sigurisë për këtë çështje.
Por le ta bëjë e qetë Prokuroria e qetë punën e saj dhe të kalojmë këto filtra të informacionit që vijnë nga një institucion kaq i rëndësishëm siç është SHISH dhe pastaj jemi dhe ne. Me kohën do të sqarohen të gjitha përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative.”, tha Bledi Çuçi.
Siç kemi raportuar dhe më parë, në mbledhjen e 28 shtatorit, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, të cilëve Presidenti Begaj u ka lënë porosi të qartë.
Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.

