Live From Tirana Sport

Rama nuk e fton në takimin me sportistë e trajnerë, shpëthen Daniel Godelli: “Më janë bërë padrejtësi, po të isha marrë me parti…”

Në një intervistë të dhënë për “Live from Tirana”, kampioni botëror i peshëngritjes, Daniel Godelli, ka denoncuar publikisht mënyrën se si trajtohet nga institucionet shtetërore, pavarësisht kontributit të tij të madh për sportin shqiptar. Daniel, i cili ka mbyllur karrierën aktive pas shumë vitesh në peshëngritje, tregoi se prej kohësh është përjashtuar nga takimet e rëndësishme mes sportistëve dhe organeve të shtetit, përfshirë ato me qeverinë. Ditën e djeshme, kryeministri Rama bëri mbledhje me sportistët dhe trajnerët, ku Godelli sërish nuk ishte i ftuar dhe për këtë erdhi dhe një reagim i gjatë nga sportisti me kritika drejt kryeministrit. Ditën e sotme, kampioni ka folur më konkretisht rreth kësaj teme:

“Është e vërtetë, ka vite që ndodh kjo. Sot nuk jam sportist aktiv, kam tre vite që kam mbyllur sportin. Më janë bërë padrejtësi për çfarë më takon në sport,” u shpreh ai.

Sipas tij, problemi kryesor lidhet me gradat olimpike, të cilat sipas ligjit u takojnë sportistëve elitarë. ‘Kam tre vite që aplikoj për gradat dhe më refuzohen,’ tha Daniel, duke shtuar se ka pasur kontakt edhe me kryeministrin, i cili i ka thënë hapur se nuk takohen sepse nuk është më aktiv në sport. Ai kujtoi se në 2023-shin, kur kolegët e tij u dekoruan dhe morën gradat olimpike, emri i tij mungoi nga lista.

“Kam bërë njëzet e katër vite sport dhe e marrin sportistë që nuk u takojnë gradat olimpike, gradat ushtarake, dhe nuk e marr unë. Jam i vetmi sportist që nuk kam asnjë dekorim nga presidenti,” tha ai, duke theksuar se janë ndërruar tre presidentë dhe asnjëri nuk e ka dekoruar, ndonëse ka qenë kampion bote.

Daniel është i vetmi kampion bote shqiptar në peshëngritje, një titull që sipas tij nuk zëvendësohet nga asnjë medalje tjetër që ka fituar në karrierë. Ai lidhi situatën e tij me mënyrën se si funksionon politika në Shqipëri:

“Politika në Shqipëri do njerëz që të rrinë nga mbrapa kur i duhet fushata, kur i duhen njerëz që të flasin mirë për gjërat. Por unë kam qenë kritik gjithmonë dhe kam thënë çfarë mendoj.”

Sportisti tregoi se pas një bisede personale me kryeministrin, i cili i ka thënë hapur se nuk takohen sepse nuk është më aktiv në sport, ai është përpjekur të kërkojë një takim të ri, por ‘zyra e kryeministrit e ka bërë bllok’. Daniel theksoi se, megjithë mospërfilljen institucionale, ai nuk ka qenë kurrë i lidhur me ndonjë parti politike.

“Ky është defekti im, sepse unë nuk merrem kurrë me parti. Them, jam në sport. Nëse do isha marrë me parti, nuk do të më ndodhte kjo situatë,” u shpreh ai.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.