Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale përcaktojnë rregulla më të qarta për nisjen dhe kohëzgjatjen e hetimit. Për të shmangur hetimet e zgjatura në kohë, procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën penale dhe jo kur ai e çmon të përshtatshme. Personi do të ketë të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër penale, ajo duhet të regjistrohet më vete. Gjatw prezantimeve tw ndrushimeve, kryeministri Rama tha se hetimet e fshehura s’kanë vend në shtetin e së drejtës.
Ndryshon edhe kriteri për dërgimin e një çështjeje në gjyq. Standardi aktual i “provave të mjaftueshme” parashikohet të zëvendësohet me “pritshmërinë e arsyeshme për dënim”. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të argumentojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.
“Ndryshimi i pestë i jep hetimit një fillim të verifikueshëm, një objekt të qartë dhe një fund. Procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër, ajo duhet të regjistrohet si e tillë, si vepër tjetër. Hetimet e fshehura në kohë, të mbajtura në sirtarë për vite dhe të përdorura si një hije mbi kokën e dikujt, nuk mund të jenë kurrsesi një rutinë në një shtet të së drejtës.
Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e pritshmërisë së arsyeshme për dënim. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim. Procesi penal nuk mund të përdoret si dënim më vete, duke i marrë dikujt erzin dhe vite jete nëpër gjykata, kur prova nuk përbën dot asnjë vendim fajësie”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live










