Rama priti Wendt, ambasada amerikane: Një partneritet i fortë matet me atë që dy kombet arrijnë së bashku
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas takimit të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt, me kryeministrin Edi Rama.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada thekson rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve dhe fokusin e diskutimeve gjatë takimit.
“Një partneritet i fortë matet me atë që dy kombet arrijnë së bashku”, thuhet në reagim.
Sipas Ambasadës amerikane, ambasadori Wendt dhe kryeministri Rama diskutuan për thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Takimi vjen menjëherë pas dorëzimit të letrave kredenciale nga ambasadori Wendt te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke shënuar nisjen zyrtare të detyrës së tij në Shqipëri.




