Jurgen Klopp lë të kuptohet se rezultatet për momentin kanë më pak rëndësi për të sesa informacioni që merr nga ndeshjet. Megjithatë, në ndeshjen e tij të tretë ai përballet me rrezikun e vendosjes së një rekordi negativ, i cili aktualisht mbahet nga dy paraardhës shumë të suksesshëm. Pas emocioneve të tensionuara të së dielës, pas humbjes 0-1 ndaj Greqisë, humori i Jurgen Klopit ka ndryshuar sërish.
Të hënën, trajneri i ri i kombëtares ishte në gjendje të buzëqeshte përsëri në stërvitjen e parë me grupin e dytë. Megjithatë, shifrat nuk janë aspak inkurajuese: pas barazimit 1-1 ndaj Holandës në ndeshjen hapëse, 59 vjeçari ka grumbulluar vetëm një pikë në dy ndeshje. Dhe megjithëse Klop thekson vazhdimisht se rezultatet janë dytësore në këtë fazë (“Më mirë një fillim i keq sesa një fund i keq”), për të ndeshja e së enjtes ka të bëjë me shmangien e një rekordi negativ.
Sepse nëse kombëtarja gjermane nuk arrin të fitoj sërish në Mynih, Klop do të bëhet trajneri i parë i Gjermanisë që nuk ka fituar asnjërën nga tri ndeshjet e para në krye të kombëtares. Megjithatë, nuk ka arsye për tu shqetësuar, pasi dy paraardhës shumë të njohur dhe të suksesshëm të tij kryesojnë aktualisht këtë listë: Sep Herberger dhe Helmut Shën, njësoj si Klop, nuk arritën të siguronin një fitore në dy ndeshjet e para si trajnerë të kombëtares, ndonëse secili regjistroi nga dy barazime.
Më pas, të dy fituan trofe: Herberger udhëhoqi Gjermaninë drejt triumfit të parë në Kupën e Botës në vitin 1954, në të ashtuquajturën “Mrekullia e Bernës”, ndërsa Shën mbetet i vetmi trajner i kombëtares që e ka udhëhequr Gjermaninë drejt fitimit si të Kampionatit Evropian (1972), ashtu edhe të Kupës së Botës (1974).
Sa i përket Klopit, ai mbetet i bindur te qasja e tij përpara ndeshjeve ndaj Serbisë dhe sfidës së kthimit kundër Greqisë të dielën: “A do të vijë së shpejti një moment kur do të jemi gati të bëhemi një kundërshtar vërtet i pakëndshëm për çdo skuadër? Jam njëqind përqind i bindur se po.”

