30 Shtator 2026, 14:50
Nga I.A
TIRANË- Wizz Air planifikon të shtojë 5 deri në 6 avionë në flotën e stacionuar në Tiranë, e cila aktualisht numëron 15 avionë, teksa Shqipëria vijon të jetë një nga tregjet strategjike të kompanisë në Evropë. Në më pak se një dekadë, Shqipëria është kthyer nga një treg periferik në një nga pikat e rëndësishme të Wizz Air në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Në një intervistë ekskluzive për Dosja.al, CEO i Wizz Air, József Váradi, ka shpjeguar arsyet pse kompania vijon të investojë në tregun shqiptar, ndërsa Wizz Air ka njoftuar edhe hapjen e linjës së re Tiranë-Salerno nga dita e nesërme.
CEO i Wizz Air foli edhe për trajnimin e pilotëve vendas dhe mundësinë e investimit në një strukturë mirëmbajtjeje në Shqipëri. Sipas tij, kompania synon të luajë një rol të rëndësishëm në lidhjen e Shqipërisë me tregun evropian, në një periudhë kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në një kohë kur diskutimi për mbingarkesën turistike është kthyer në një nga temat kryesore të industrisë, Váradi argumenton se sfida nuk lidhet vetëm me numrin e turistëve, por me aftësinë e infrastrukturës për t’i përballuar ata. Në intervistë, ai u ndal edhe te sfidat me të cilat po përballet industria e aviacionit, nga mbyllja e hapësirave ajrore dhe kostot e karburantit, deri te pasiguria e zgjatur gjeopolitike.
Ndërsa Shqipëria po konsolidohet si një destinacion turistik ndërkombëtar, si po kontribuon Wizz Air jo vetëm në udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit, por edhe në sjelljen e më shumë vizitorëve evropianë në Shqipëri gjatë gjithë vitit?
Mendoj se në Shqipëri kanë ndodhur shumë gjëra pozitive. Së pari, që prej ndryshimit të pronësisë dhe menaxhimit të aeroportit në Tiranë, kemi parë shumë investime në zhvillimin e infrastrukturës aeroportuale. Aeroporti është bërë shumë më komercial dhe më i hapur për diskutime me ne. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, është rritur ndjeshëm edhe gatishmëria jonë për të investuar më shumë në Shqipëri. Së dyti, po ndodhin shumë investime dhe është rritur interesi për turizmin në vend. Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë me vlerë të mirë krahasuar me disa prej destinacioneve të konsoliduara evropiane. Gjithnjë e më shumë njerëz janë të interesuar ta vizitojnë. Për më tepër, për ne është gjithmonë interesante të hyjmë në një treg të ri dhe të kuptojmë potencialin e tij.
Po shohim gjithashtu rritjen e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po rritet në terma ekonomikë dhe kjo po krijon një klasë të mesme që dëshiron të udhëtojë. Për këtë nevojitet infrastrukturë, veçanërisht infrastrukturë lokale, që të nxisë këtë kërkesë për udhëtime. Pra, të gjithë faktorët po përputhen. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri. Ne duam të jemi një motor ekonomik për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe besoj se mund të kontribuojmë në mënyrë konstruktive në këtë ambicie. Kemi ndërtuar një operacion shumë të rëndësishëm në Shqipëri dhe vazhdojmë ta shohim vendin si një treg investimi për Wizz Air.
Gjatë sezonit veror 2026, Wizz Air operoi me 15 avionë të bazuar në Tiranë dhe ofroi 5.6 milionë vende vajtje-ardhje. Cilat janë mundësitë e ardhshme për zgjerimin e bazës së Tiranës dhe a mund të presin pasagjerët shqiptarë avionë apo destinacione të reja në vitin 2027?
Ishte një sezon i mirë. Këtë vit po rritemi me 18%, çka është një normë shumë e lartë rritjeje. Duhet thënë se kemi pasur rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Dhe gjithmonë, kjo është një shenjë e një biznesi të mirë, sepse rritesh kur performon mirë.
Kërkesa është shumë e madhe. Ka një kërkesë të madhe nga shqiptarët për të udhëtuar, por edhe nga njerëzit që duan të vijnë në Shqipëri. Ne vazhdojmë ta stimulojmë këtë trafik dhe besoj se kemi bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim.
Pas një viti gjatë të cilit Wizz Air e përqendroi rritjen e tij në tregjet kryesore të Evropës Qendrore dhe Lindore, cili është angazhimi afatgjatë i kompanisë ndaj Shqipërisë dhe si e parashikoni praninë e Wizz Air në vend gjatë pesë viteve të ardhshme?
Ne e shohim Shqipërinë si një treg udhëtimesh dhe po shqyrtojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë si kompani ajrore: të zgjerojmë rrjetin, të sjellim më shumë avionë, të hapim destinacione të reja dhe të rrisim frekuencat në destinacionet ku operojmë aktualisht. Kjo është një linjë e rëndësishme zhvillimi dhe kemi ende plane shumë ambicioze. Synojmë rritje dyshifrore në vitet e ardhshme, vit pas viti. Gjithashtu, gjatë tre-katër viteve të ardhshme planifikojmë të zgjerojmë ndjeshëm flotën e stacionuar në Tiranë.
Do të konsideronim sjelljen e pesë deri në gjashtë avionëve të tjerë, përveç 14-15 avionëve që kemi aktualisht. Pra, vazhdojmë të jemi në një trajektore rritjeje sa i përket pranisë sonë në Shqipëri. Linja e dytë e zhvillimit lidhet me mënyrën se si mund t’i përmirësojmë operacionet tona në Shqipëri. Kemi një program të rëndësishëm për trajnimin e pilotëve, programin pilot cadet, i cili është veçanërisht i rëndësishëm.
Ne duam të kemi sa më shumë të jetë e mundur edhe pilotë vendas. Do të ishim shumë të interesuar që shqiptarët të përfshiheshin në këtë profesion dhe ne t’i trajnonim ata. Pra, trajnimi i pilotëve është një nga fushat ku do të vazhdojmë të investojmë. Po shohim gjithashtu mundësi në infrastrukturën fizike, si një servis mirëmbajtjeje. Me rritjen e kompanisë dhe numrit të avionëve të stacionuar këtu, nevojiten më shumë shërbime mirëmbajtjeje. Kjo mund të kërkojë edhe infrastrukturë të specializuar, si një servis. Edhe këtë po e shohim si një mundësi investimi në vend.
józsef váradi wizz air
Aktualitet
30 Shtator 2026, 14:46
G.M
pamje nga takimi
TIRANA- Ambasada amerikane ka bërë një postim në rrjetin social Facebook, në lidhje me taimin e ambasadorit ...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 14:47
I.A
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, në cilësinë e President...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 14:29
G.M
Këshilli Bashkiak i Cërrikut
CËRRIK- Reforma territoriale që parashikon shkrirjen e disa bashkive në një të vetme nuk u ...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 14:29
d
Viktima dhe partneri
TIRANA- Ish-bashkëshorti i të ndjerës Xhuana Nikollaj, e cila u vetëvra disa muaj më parë &eum...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 14:10
E.d
Pamje
SARANDA- Një shpërthim ndodhi ditën e djeshme në pikën e karburantit “AN Oil”, në rrugën “S...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 13:58
E.d
Pamje
ZVICRA- Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar në Zvicër, pasi u kap me një sasi të konsider...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 13:19
E.d
Pamje
FIER- Një zjarr masiv ka rënë mesditën e sotme në fshatin Verbas të Patosit, në Fier. Flakët përfsh...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 13:01
G.M
Foto ilustruese
TIRANA- Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë pasi dyshohen se kanë ndezur qëllimsht zjarr&nbs...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 12:46
G.M
pamje
ELBASAN- Një 40-vjecar është shpallur në kërkim ditën e sotme pasi iu gjetën dhe sekuestruan në banes&eu...
Aktualitet
30 Shtator 2026, 12:49
E.d
Pamje
FIER- Një zjarr i madh ka rënë pak minuta më parë në afërsi të kodrave të Parkut Arkeologjik t...