AKTUALITET /

Nga kufizimi i arrestit me burg te transmetimi live i seancave, qeveria ndryshon Kodin e Procedurës Penale. Ja disa nga 105 nenet që do të preken

Drafti do të vijojë të jetë në konsultim publik deri më 28 tetor

Shkruar nga Versus

Nga kufizimi i arrestit me burg te transmetimi live i seancave, qeveria ndryshon

Kodi i Procedurës Penale pritet të ndryshojë në mënyrë të thellë, me 105 nene të ndryshuara ose të shtuara. Drafti i ri, i cili do të jetë në konsultim publik deri më 28 tetor, prek një sërë çështjesh, nga masat e sigurimit dhe të drejtat e personave nën hetim, te përgjimet, marrja e provave, mbrojtja e viktimave dhe publiciteti i seancave gjyqësore.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me arrestin me burg. Sipas draftit, ndaj personave të akuzuar për vepra penale që parashikojnë një dënim maksimal deri në 5 vite burg, në parim nuk do të vendoset kjo masë sigurie. Përjashtime parashikohen në raste të caktuara, përfshirë mosrespektimin e masave më të lehta.

Ndërkohë, të gjitha kundërvajtjet penale përjashtohen nga arresti me burg. Edhe në rastet kur gjykata vlerëson se dënimi konkret nuk do të kalojë 3 vite burg ose mund të konvertohet në shërbim prove, personi nuk do të mund të mbahet në paraburgim.

Drafti parashikon gjithashtu mbrojtje të posaçme për kategori të caktuara. Nuk do të vendoset arrest me burg ndaj grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë deri në 6 vjeç. E njëjta mbrojtje parashikohet për babain e një fëmije deri në 6 vjeç kur nëna ka vdekur, me përjashtim të rasteve të krimeve të rënda.

Mbrojtje të veçantë parashikohet edhe për personat mbi 70 vjeç, të sëmurët dhe personat nën varësi të drogës.

Për masat e tjera shtrënguese, si arresti në shtëpi, detyrimi për t’u paraqitur, ndalimi i daljes jashtë vendit apo garancia pasurore, drafti parashikon që si rregull të mos aplikohen për veprat penale që kanë një dënim maksimal deri në 3 vite burg.

Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e vendosjes së masave të sigurimit. Gjykata do të duhet të japë një vendim të argumentuar për çdo masë sigurie, duke bërë një vlerësim të pavarur nga pretendimet e prokurorit.

Gjithashtu, përgjysmohen afatet për kontrollin e masës së sigurimit. Në vend të 2 muajve, prokurori do të duhet të raportojë te gjykata për ecurinë e hetimeve dhe nevojën për vazhdimin e masës brenda 1 muaji.

Sa i përket garancisë pasurore, ajo do të përcaktohet duke marrë parasysh mundësitë ekonomike të person it të akuzuar.

Prokurori duhet të kërkojë edhe provat që shfajësojnë të dyshuarin

Një nga ndryshimet që drafti e konsideron të rëndësishëm lidhet me rolin e prokurorit. Ai nuk do të duhet të kërkojë vetëm prova që mbështesin akuzën, por edhe prova që mund të çojnë në shfajësimin e personit nën hetim.

Këto materiale duhet t’i vihen në dispozicion mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, avokatit i jepet një rol më aktiv në hetim. Mbrojtja do të ketë të drejtë të kryejë hetime të pavarura, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë.

Materialet e siguruara nga mbrojtja do të mund t’i paraqiten gjykatës në të njëjtën mënyrë si materialet e siguruara nga prokuroria.

Personi nën hetim dhe i pandehuri do të kenë gjithashtu akses të pakushtëzuar në prova, ndërsa prokuroria, si rregull, do të ketë detyrimin t’ua vërë ato në dispozicion.

Marrja në pyetje do të regjistrohet me audio dhe video

Rregulla të reja parashikohen edhe për marrjen në pyetje në polici apo prokurori.

Prania e avokatit do të jetë e domosdoshme, ndërsa deklarimet e marra ndaj një personi në cilësinë e “personit në dijeni” nuk do të mund të përdoren më pas kundër tij.

Të gjitha marrjet në pyetje do të regjistrohen me pamje dhe audio.

Prokurorit dhe oficerit të Policisë Gjyqësore do t’u ndalohet ushtrimi i presionit ndaj personit që merret në pyetje. Nëse kjo ndodh, deklarimet do të konsiderohen të papërdorshme.

Kufizime për kontrollin e telefonave dhe përgjimet

Drafti forcon edhe mbrojtjen e jetës private dhe komunikimeve.

Organet hetuese nuk do të mund të marrin të dhëna jashtë objektit të hetimit pa vendim gjykate. Gjykata do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit.

Çdo informacion i marrë jashtë këtyre kufijve do të konsiderohet i papërdorshëm.

E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për përgjimet. Do të duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me objektin e hetimit, përfshirë edhe ato që mund të jenë në favor të personit nën hetim.

Rregulla të reja për ADN-në dhe mostrat biologjike

Për herë të parë, drafti parashikon rregulla të detajuara për marrjen e mostrave biologjike dhe ruajtjen e profileve gjenetike.

Marrja mund të bëhet me pëlqim të informuar ose në bazë të një vendimi gjykate dhe me praninë e mbrojtësit.

Në rast të një pafajësie të formës së prerë, profilet gjenetike duhet të asgjësohen.

Hetimi duhet të regjistrohet që në momentin kur prokurori merr dijeni

Një tjetër ndryshim synon të shmangë zgjatjen e pajustifikuar të hetimeve.

Procedimi penal duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën penale, dhe jo në një moment të mëvonshëm kur ai e vlerëson të përshtatshme.

Edhe standardi për dërgimin e çështjes në gjykatë ndryshon. Kriteri aktual i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me “pritshmërinë e arsyeshme për dënim”.

Prokurori duhet të peshojë si provat e akuzës, ashtu edhe ato të mbrojtjes dhe të argumentojë se çështja ka një mundësi reale për të përfunduar me dënim.

Forcohet prezumimi i pafajësisë

Ndryshimet prekin edhe mënyrën se si organet e drejtësisë duhet të komunikojnë gjatë një hetimi.

Prokurori, oficeri i Policisë Gjyqësore, avokati apo profesionistë të tjerë që kanë detyrimin të ruajnë sekretin hetimor do të mbajnë përgjegjësi për nxjerrjen e të dhënave.

Po ashtu, organet hetimore duhet të tregojnë kujdes të veçantë në gjuhën e përdorur në dokumentet zyrtare, në respekt të prezumimit të pafajësisë.

Mbrojtje më e madhe për viktimat e dhunës në familje

Në draft përfshihen edhe masa për mbrojtjen e viktimave.

Në rastet e dhunës në familje, parashikohet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga familja.

Kur familja përballet me vështirësi financiare, gjykata mund të caktojë edhe një pagesë në funksion të mbrojtjes dhe mbështetjes së saj.

Seancat gjyqësore mund të transmetohen live

Një tjetër risi lidhet me publicitetin e seancave gjyqësore.

Sipas draftit, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, nëse këtë e kërkon i pandehuri ose viktima dhe nëse gjykata jep autorizimin përkatës.

Transmetimi duhet të bëhet duke respektuar të drejtat e personave të tretë dhe mbrojtjen e viktimave.

Ndryshimet e propozuara synojnë të riformatojnë mënyrën e zhvillimit të procedimit penal, duke vendosur kufizime më të forta për privimin e lirisë përpara një vendimi përfundimtar dhe duke zgjeruar të drejtat e mbrojtjes gjatë hetimit dhe gjykimit.

Drafti do të vijojë të jetë në konsultim publik deri më 28 tetor. 

Kliko dokumentin e plote

Ndryshimet në disa prej neneve

Nuk do të vendoset paraburgim kur gjykata vlerëson se dënimi konkret nuk do të kalojë 3 vite burg.

Nuk do të vendoset arrest me burg kur dënimi pritet të konvertohet në shërbim prove.

Gjykata duhet të nisë vlerësimin nga liria dhe të shqyrtojë fillimisht masat më të buta.

Arresti në shtëpi duhet të shqyrtohet përpara burgimit.

Arresti me burg do të përdoret vetëm kur masat e tjera nuk janë të mjaftueshme.

Gratë shtatzëna nuk do të mund të vendosen në arrest me burg.

Nënat me fëmijë deri në 6 vjeç nuk do të mund të vendosen në arrest me burg.

Babai i një fëmije deri në 6 vjeç mbrohet nga arresti me burg kur nëna ka vdekur, përveç rasteve të krimeve të rënda.

Personat mbi 70 vjeç përfitojnë mbrojtje të veçantë.

Personat e sëmurë përfitojnë mbrojtje të veçantë.

Personat nën varësi të drogës përfitojnë mbrojtje të veçantë.

Masat shtrënguese, si rregull, nuk do të zbatohen për veprat me dënim maksimal deri në 3 vite burg.

Ndryshime për kontrollin e masave të sigurisë

Gjykata duhet të japë vendim të argumentuar për çdo masë sigurie.

Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe jo të mbështetet automatikisht te kërkesa e prokurorit.

Afati për raportimin e prokurorit mbi ecurinë e hetimeve shkurtohet nga 2 muaj në 1 muaj.

Gjykata duhet të rivlerësojë nevojën për vazhdimin e masës së sigurisë në një periudhë më të shkurtër.

Garancia pasurore do të përcaktohet duke marrë parasysh mundësitë ekonomike të personit nën hetim.

Të drejtat e të dyshuarit dhe roli i prokurorit

Prokurori nuk do të duhet të kërkojë vetëm provat kundër të dyshuarit.

Prokurori do të ketë detyrimin të kërkojë edhe provat që e shfajësojnë personin.

Provat në favor të të dyshuarit duhet t’i vihen në dispozicion mbrojtjes.

Avokati do të ketë të drejtë të kryejë hetime të pavarura.

Mbrojtja mund të marrë deklarime nga persona të ndryshëm.

Avokati mund të kërkojë dokumente.

Mbrojtja mund të kryejë verifikime teknike.

Avokati mund të angazhojë ekspertë.

Materialet e siguruara nga mbrojtja do të mund t’i paraqiten gjykatës në të njëjtin nivel me materialet e prokurorisë.

Personi nën hetim do të ketë akses të pakushtëzuar në provat.

Edhe i pandehuri do të ketë akses të pakushtëzuar në provat.

Prokuroria, si rregull, do të ketë detyrimin t’ia vërë provat në dispozicion mbrojtjes.

Marrja në pyetje

Avokati do të jetë i domosdoshëm gjatë marrjes në pyetje.

Deklarimet e marra nga një person si “person në dijeni” nuk mund të përdoren më vonë kundër tij.

Marrjet në pyetje do të regjistrohen me audio dhe video.

Prokurori nuk mund të ushtrojë presion ndaj personit gjatë marrjes në pyetje.

Oficeri i Policisë Gjyqësore nuk mund të ushtrojë presion gjatë marrjes në pyetje.

Deklarimet e marra nën presion do të cilësohen si të papërdorshme.

Privatësia, telefonat dhe përgjimet

Mbrojtja e jetës private forcohet.

Mbrojtje e posaçme parashikohet për korrespondencën dhe komunikimet telefonike.

Organet hetuese nuk mund të marrin të dhëna jashtë objektit të hetimit.

Marrja e të dhënave duhet të autorizohet nga gjykata.

Gjykata do të përcaktojë pajisjen nga e cila mund të merren të dhënat.

Gjykata do të përcaktojë kategoritë e të dhënave që mund të merren.

Gjykata do të përcaktojë aplikacionet që mund të kontrollohen.

Gjykata do të përcaktojë periudhën e kërkimit.

Gjykata do të përcaktojë kriteret e kërkimit të të dhënave.

Të dhënat e marra jashtë këtyre kufijve do të jenë të papërdorshme.

Në përgjime duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin.

Duhet të përfshihen edhe komunikimet që janë në favor të personit nën hetim.

Mostrat biologjike dhe ADN-ja

Marrja e mostrave biologjike rregullohet në mënyrë të detajuar.

Marrja e mostrave mund të bëhet me pëlqim të informuar.

Në mungesë të pëlqimit, parashikohet vendimi i gjykatës.

Marrja e mostrave do të kryhet me praninë e mbrojtësit.

Rregullohet ruajtja e profileve gjenetike.

Profilet gjenetike duhet të asgjësohen pas një pafajësie të formës së prerë.

Regjistrimi i procedimit penal

Procedimi penal duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën penale.

Nuk do të lihet më në diskrecionin e prokurorit momenti se kur e regjistron çështjen.

Synohet shmangia e hetimeve të zgjatura pafundësisht.

Kalimi i çështjes në gjykatë

Ndryshon standardi për dërgimin e çështjes në gjyq.

“Provat e mjaftueshme” zëvendësohen me standardin e “pritshmërisë së arsyeshme për dënim”.

Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës.

Prokurori duhet të peshojë edhe provat e mbrojtjes.

Prokurori duhet të argumentojë pse ekziston një mundësi reale që çështja të përfundojë me dënim.

Prezumimi i pafajësisë

Forcohet prezumimi i pafajësisë.

Prokurorët duhet të respektojnë sekretin hetimor.

Oficerët e Policisë Gjyqësore mbajnë përgjegjësi për nxjerrjen e të dhënave të mbrojtura.

Avokatët dhe profesionistët që kanë detyrimin për ruajtjen e sekretit hetimor duhet të respektojnë këto rregulla.

Organet hetimore duhet të përdorin gjuhë të kujdesshme në dokumentet zyrtare.

Dokumentet zyrtare nuk duhet ta paraqesin personin si fajtor përpara një vendimi përfundimtar.

Mbrojtja e viktimave

Forcohen të drejtat e viktimës në procesin penal.

Në rastet e dhunës në familje parashikohet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga familja.

Kur familja ka vështirësi financiare, gjykata mund të caktojë një pagesë.

Masa synon të sigurojë mbështetje financiare për familjen e prekur nga dhuna.

Seancat gjyqësore dhe transmetimi live

Parimi i publicitetit të seancave riformulohet.

Seanca gjyqësore mund të transmetohet drejtpërdrejt.

Transmetimi mund të bëhet me kërkesën e të pandehurit.

Edhe viktima mund të kërkojë transmetimin e seancës.

Transmetimi kërkon autorizimin e gjykatës.

Gjykata duhet të mbrojë të drejtat e personave të tretë.

Duhet të mbrohen të drejtat dhe identiteti i viktimave kur është e nevojshme./Versus.al

Poll