Hita në Hagë, takim me drejtuesin e Europolit: Bashkëpunim pa barriera kundër krimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë (EPCC) në Hagë, ku u prit në një takim nga Drejtori Ekzekutiv në detyrë i Europolit, Jürgen Ebner.
Gjatë takimit, Ebner vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit, hetimeve të përbashkëta dhe angazhimit në mekanizmat e Europolit dhe EMPACT.
Hita theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar. “Vizoni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh ai.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko.
“Dua t’ju siguroj se vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuuar denjësisht për sigurinë evropiane.
Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne, ku teknologjia, ashtu siç na shërben neve, i shërben edhe krimit, i cili përditë e më shumë po globalizohet. Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera.
Kjo është mënyra e duhur për të pasur sukses në misionin tonë. Ju falënderoj për mikpritjen dhe uroj punime të suksesshme të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, një konventë me rëndësi shumëdimensionale në interes të sundimit të ligjit.”, tha Hita.




