
Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Fllakës në Durrës, ku flakët kanë përfshirë një pikë skrapi.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është përhapur edhe në zonën përreth, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, tre prej tyre nga Shijaku dhe një nga Durrësi, për shuarjen dhe izolimin e plotë të flakëve.
Nga pamjet e siguruara në vendngjarje shihet një shtëllungë e madhe tymi që ka mbuluar zonën. Ndërkohë, dëgjohen edhe shpërthime brenda pikës së skrapit, çka ka shtuar shqetësimin për përhapjen e zjarrit.
Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Gjithashtu, nuk ka ende informacion zyrtar nëse ka persona të lënduar.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën në terren për vënien nën kontroll të situatës./Versus.al

