Alarmi i zv.ministres: Droga të reja shiten në shkolla në formën e karameleve! Softa: Kamerat smart nuk mjaftojnë
Siguria në shkolla dhe problematikat me të cilat përballen të rinjtë ishin në fokus të diskutimeve në studion e “Takohemi n’Vizion” nën moderimin e Fjodora Fjorës.
Zëvëndësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Rusta, tha se po punohet për ndërgjegjësimin e nxënësve, veçanërisht të adoleshentëve.
Rusta theksoi se shpërndarja e videove, shantazhet dhe bullizmi janë vepra penale dhe se sensibilizimi i të rinjve duhet të nisë që në ambientet e shkollës.
Zëvëndësministrja ngriti gjithashtu shqetësimin për format e reja të shpërndarjes së drogave te të rinjtë.
“Ajo që po përpiqemi të bëjmë është se jemi duke ndërgjegjësuar gjithmonë e më shumë të rinjtë, e sidomos ata që janë në gjimnaz. Që shpërndarja e videove, shantazhet apo edhe bullizmi janë vepra penale. Është diçka që do t’i shoqërojë ata gjatë gjithë jetës. Duam të sensibilizojmë nxënësit që të jenë më të ndjeshëm. Aleanca më e madhe e jona është ajo me mësuesit dhe prindërit, padyshim. Prioritet për ne ka shumë identifikimi i platformave të reja që përdorin adoleshentët. Disa llogari janë llogari apo platforma ku policia ka akses dhe mund t’i mbyllë, por disa janë të pamundura. Ka lëndë narkotike të reja që u shiten adoleshentëve në formën e karameleve.
Do të duhet të jetë shumë më shumë çështja e ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve që janë brenda shkollave. Nuk mendojmë që do eliminojmë 100% konfliktet që do kenë të rinjtë me njëri-tjetrin. Ne kemi vendosur kamera të lidhura me IA në 20 shkolla, në Tiranë edhe në Kamëz. Kamerat analizojnë në kohë reale. Kjo vlen vetëm për ambientet e përbashkëta në shkollë. Ne inkurajojmë që gjithmonë e më shumë nxënësit të flasin me punonjësit socialë, me psikologët nëpër shkolla”, tha zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Rusta.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, vlerësoi se siguria në shkolla ka shënuar përmirësime, duke përmendur sistemet e alarmit, mbrojtjen nga zjarri, oficerët e shkollës dhe kamerat smart.
Megjithatë, Softa theksoi se masat teknologjike nuk janë të mjaftueshme pa burime njerëzore dhe bashkëpunimin mes drejtuesve të shkollave, mësuesve dhe prindërve.
“Siguria në shkolla ka një përmirësim. Ka sistem alarmi, të mbrojtjes nga zjarri. Oficerat e shkollës janë shtuar. Kamerat smart janë të rëndësishme po ashtu. Por të gjitha këto janë të pamjaftueshme nëse nuk ke burime njerëzore, drejtori i shkollës, mësuesi kujdestar, komuniteti i prindërve. Duhet të bëhet një klasifikim i shkollave. Siguria është shërbim, është një element që nuk përfshin konfliktin, bullizmin, por edhe sigurinë ushqimore”, u shpreh eksperti i sigurisë Fatjon Softa në Vizion Plus.
/vizionplus.tv




