Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po përgatitet të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian para fundit të këtij viti, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre synohet të mbyllet gjatë vitit të ardhshëm. Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama ritheksoi “vullnetin e hekurt” të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit dhe vlerësoi mbështetjen e BE-së përmes Planit të Rritjes.

“Dua të konfirmoj edhe një herë edhe publikisht në këtë rast, vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjithë punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve, përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, konkretisht para fundit të këtij viti dhe pastaj për të vazhduar vitin e ardhshëm intensivisht, me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve tanimë të hapur. 

Nga ana tjetër dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm të kësaj periudhe që është programi i planit të rritjes, ne kemi arritur të kapim disa objektiva jashtëzakonisht ambiciozë dhe siç thashë, me siguri presidentja do ta prekë këtë temë pasi Plani i Rritjes, është një nga risitë e mandatit të saj të dytë. Një risi që për rajonin ka ardhur si një mbështetje shumë e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por mbi të gjitha në aspektin e atij që quhet tanimë, si një integrim gradual pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon