Rama pas takimit me Von der Leyen: Konfirmoj vullnetin tonë të hekurt për avancimin drejt BE-së
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për mediat me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se Shqipëria në fund të këtij viti mbyll kapitujt e hapur, për të vijuar me të njëjtin intensitet edhe vitin e ardhshëm.
Rama tha se Shqipëria dhe BE-ja kanë avancuar në pikat e tyre të përbashkëta.
“Sapo kemi përfunduar një bashkëbisedim në pjesën e parë të vizitës së von der Leyen në Tiranë. Është gjithmonë një kënaqësi dhe një privilegj i veçantë ta presim këtu, tashmë edhe në këtë tur tradicional të rajonit. Nuk e di ekzaktësisht arsyen pse ky tur fillon gjithmonë nga Tirana, por dua të besoj që fillon nga A-ja.
Besoj po ashtu që, përsëri edhe këtë herë, në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj, ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkëta. Presidentja do të flasë vetë për këtë pjesë.
Unë dua të konfirmoj edhe njëherë, edhe publikisht në këtë rast, vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, pra në fund të këtij viti, dhe për të vijuar vitin e ardhshëm intensivisht me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve të hapur.
Dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm të kësaj periudhe, që është programi i Planit të Rritjes, ne kemi arritur të kapim disa objektiva ambiciozë. Siç thashë, me siguri presidentja do ta prekë këtë temë, pasi Plani i Rritjes është një risi e mandatit të saj të dytë”, tha Rama.




