Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po përgatitet të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian para fundit të këtij viti, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre synohet të mbyllet gjatë vitit të ardhshëm. Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama ritheksoi “vullnetin e hekurt” të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit dhe vlerësoi mbështetjen e BE-së përmes Planit të Rritjes.
“Edhe këtë herë, në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj, ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkët që kemi. Unë dua të konfirmoj edhe një herë, edhe publikisht, vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve.
Dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm të kësaj periudhe, që është programi i Planit të Rritjes, ne kemi arritur të kapim disa objektiva ambiciozë. Plani i Rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë, një risi që për rajonin ka ardhur si mbështetje e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por në aspektin e atij që quhet një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit”, tha Rama.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e nisi turin e saj në Ballkanin Perëndimor me një mesazh për kryeministrin Edi Rama. Në një postim në rrjetin X, ajo u shpreh se kreu i qeverisë shqiptare “po punon fort për ta kthyer ëndrrën europiane të Shqipërisë në realitet”, ndërsa theksoi se reformat në drejtësi, mjedis dhe dialogu me shoqërinë janë kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Jam e lumtur që e nis turin tim në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria. I dashur Edi Rama, po punon fort për ta kthyer ëndrrën europiane të Shqipërisë në realitet. Fokusi te reformat, nga drejtësia te mjedisi, është thelbësor, duke ruajtur një dialog të fortë me shoqërinë. Objektivi është në horizont. Kështu do ta arrijmë atë” tha ajo