Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri Edi Rama po mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp gjatë vizitës së saj në Tiranë.
“Vërtetë është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë dhe përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Europën në zemër. Është vërtetë kënaqësi, është e mrekullueshme të kthehem në Tiranë. Ti dhe Shqipëria keni punuar fort për ta kthyer ëndrrën europiane të Shqipërisë në realitet, për ta bërë atë realitet. Prandaj mesazhi im i parë është i thjeshtë: Objektivi është në horizont. Pra Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të anëtarësimit. Mund ta jap këtë gjykim, pasi unë vij çdo vit për të parë ecurinë dhe meqënese kam qenë dhe vjet këtu në Tiranë, që atëherë Shqipëria sërish ka bërë një ecuri të mrekullueshme, fantastike.
Keni hapur tashmë edhe grupkapitujt e fundit të negociatave dhe në korrik ju keni mbyllur tre kapitujt e parë përfshirë kapitullin për marrëdhëniet me jashtë. Ky është një përparim shumë i rëndësishëm, pasi kjo do të thotë se Shqipëria është plotësisht përafruar me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, pra 100%. Që do të thotë që ne e shohim botën me të njëjtin sy dhe kjo është shumë e rëndësishme për procesin e anëtarësimit. Ne qëndrojmë krahë për krah, kur vlerat dhe interesat tona vihen në pikëpyetje.
Prandaj, dëshiroj që t’ju përçoj, jo vetëm qytetarëve shqiptarë, por edhe qytetarëve të BE faktin që anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por do ta bëjë Bashkimin Europian më të fortë. Megjithatë, tani është koha për të ruajtur këtë fokus që kemi pasi ka ende punë përpara. Dhe kjo më sjell tek mesazhi im i dytë. Nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur, ju i dini cilat janë. Reforma në drejtësi, kuadri zgjedhor, mbrojtja e mjedisit që është natyra mahnitëse, marramendëse e Shqipërisë.
Miratimi i reformave është i rëndësishëm, por, po aq e rëndësishme është që ato reforma të zbatohen tërësisht për të siguruar që ato të sjellin ndryshime të vërteta për qytetarët e Shqipërisë. Dhe kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike, si dhe një dialog të fortë e të vazhdueshëm me shoqërinë për t’ju përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shoqërisë", tha ajo.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon







