Kryeministri Edi Rama deklaroi se në ditët e ardhshme qeveria do të publikojë të gjithë dokumentacionin për projektin e Zvërnecit përmes platformës "Pasqyra", një nismë që synon të rrisë transparencën dhe informimin e publikut. Sa i përket përpjekjeve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit Rama tha se sot sistemi është në luftë me fenomenin që dikur ishte sistem vetë.
"Kam informuar presidenten e Komisionit qoftë për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes, po e quaj, për të mos i vënë asnjë fjalë tjetër, kur tanimë jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor, por ndërkohë, duke e informuar lidhur me hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun shqiptar edhe të ndërveprimit të qeverisë me publikun, përmes mjeteve të reja të teknologjisë. Në ditët e ardhshme, nuk e di ekzaktësisht nëse nesër apo pasnesër, por do të ndezim Pasqyrën me, pikërisht, transparencën e plotë të të gjithë dokumentave dhe të të gjithë procesit për sa i takon gjithçkaje që është e shkruar e zeza mbi të bardhë, pikërisht projektin e shumë diskutuar. Në mbyllje dua të shtoj po ashtu se kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është një pikë e palëvizshme e agjendës sonë dhe e agjendës së BE në tërësi, po për vendet kandidate në veçanti dhe kemi bashkërisht, konstatuar me kënaqësi faktin që tanimë është shumë e qartë për Shqipërinë se nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon









