Heqja e vetos? Rama: Ne duam të jemi pjesë si të barabartë mes të barabartëve, jo të bëjmë rolin e të fortit
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për mediat me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, foli edhe për ndryshimet brenda familjes së madhe evropiane, ku një ndër pikat që diskutohet është heqja e vetos për shtetet anëtare.
Rama tha se Shqipëria ka vuajtur nga vetoja, prandaj nuk do të donte asesi që në një tryezë ku do të jetë e barabartë mes të barabartëve, të bëjë rolin e të fortit.
“Sa i përket pjesës së parë të pyetjes, unë kam arsyen të them se e drejta e vetos nuk i bën mirë BE-së, as vendeve anëtare. Meqë ju e quani të drejtë, meqë ne po e dorëzojmë, unë ju kujtoj që Shqipëria ka qenë viktimë e ushtrimit të asaj të drejte. Viktimë e një vetoje apo një mekanizmi, i cili në kohët e sotme është një mekanizëm i tejkaluar.
Unë nuk besoj se, duke mbrojtur këtë ide, ne si Shqipëri humbim ndonjë gjë, pasi nuk ma ha mendja që neve do të na duhet vetoja për të bërë të fortin në një familje ku jemi të privilegjuar që të jemi të barabartë mes të barabartëve dhe jo të arrijmë në pikën ku të bëjmë goditjen me grusht të tavolinës”, tha Rama.




