
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare ka vullnetin për të vijuar reformat dhe për të mbyllur kapitujt e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Shprehim vullnetin tonë për të çuar përpara reformat dhe për të mbyllur kapitujt”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për projektin e Zvërnecit, i cili ka shkaktuar protesta dhe reagime publike. Sipas tij, çështja është diskutuar edhe me Presidenten e Komisionit Evropian.
“E kam informuar Von der Leyen për projektin e diskutuar të Zvërnecit, për të cilin po protestohet. Nesër apo pasnesër do të ndezim pasqyrën me transparencën e plotë të të gjitha dokumenteve sa i takon projektit të shumëdiskutuar”, deklaroi Rama.
Një tjetër temë e diskutuar ka qenë lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Rama tha se kjo mbetet një nga pikat kryesore të agjendës së qeverisë.
“Kemi folur dhe për bilancin e përpjekjes madhore në luftën kundër krimit e korrupsionit, që është një pikë e palëvizshme e agjendës sonë”, u shpreh ai.
Rama shtoi se, sipas tij, ka ndryshuar raporti i institucioneve me korrupsionin.
“Kemi bashkërisht konstatuar faktin që tani është e qartë për Shqipërinë se, nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi lufton korrupsionin”, tha kryeministri.

