POLITIKË /

"A mbani përgjegjësi për Vlora Hysenin?", Rama: Reforma në drejtësi nuk ndalet, kush tradhton qëllimin të përballet me drejtësinë!

Rama u përgjigj se, sipas tij, përgjegjësia politike lidhet me vijimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shkruar nga Versus

"A mbani përgjegjësi për Vlora Hysenin?", Rama: Reforma

Kryeministri Edi Rama është pyetur nëse mban përgjegjësi politike për emërimet e bëra nga qeveria, në veçanti për emërimin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Pyetja e gazetarëve lidhej edhe me përgjegjësinë e kryeministrit për personat e emëruar në poste publike dhe nëse krijohet një standard ku vendimmarrësit bëjnë emërimet, por nuk përballen me pasoja politike për veprimet e mëvonshme të të emëruarve.

Rama u përgjigj se, sipas tij, përgjegjësia politike lidhet me vijimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për mua, përgjegjësia politike është një: që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprimeve që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se përgjegjësitë për veprimet individuale duhet të përcaktohen nga sistemi i drejtësisë dhe jo automatikisht nga personi që ka bërë emërimin.

“Nëse mendoni se, sapo bëhet një emërim, lind automatikisht përgjegjësia e atij që emëron për çdo gabim që mund të bëjë më vonë i emëruari, atëherë kjo është një mënyrë e të parit të gjërave që i përket komunizmit”, u shpreh ai.

Rama shtoi se ata që shkelin ligjin apo “tradhtojnë qëllimin e përbashkët” duhet të përballen me pasojat përmes institucioneve të pavarura të drejtësisë.

“Ne kemi detyrë të përcaktojmë objektivat, të tregojmë çfarë duam të bëjmë me mbështetjen dhe fondet që mblidhen nga taksat dhe të japim llogari për mënyrën se si qeverisim. Ata që tradhtojnë qëllimin e përbashkët duhet të përballen me pasojat përmes sistemit të pavarur gjyqësor”, deklaroi kryeministri.

Në lidhje me rastin e Vlora Hysenit, ndaj së cilës SPAK ka ngritur dyshime për vepra penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e të dhënave sekrete, Rama ka deklaruar më herët se hetimi dhe gjykimi i saj i takojnë drejtësisë.

Në përfundim, Rama solli si shembull Francën, duke iu referuar një rasti ku një ministër ishte akuzuar dhe më pas procesi gjyqësor kishte përfunduar me pafajësi. Ai tha se secili shtet i trajton çështje të tilla sipas sistemit të vet dhe se askush nuk duhet të mbrohet nga përballja me pasojat e një veprimi që është objekt hetimi apo gjykimi të pavarur./Versus.al

Poll