Në 1 shtator, Bashkia e Himarës zhvilloi një tender me fond limit 166.6 milionë lekë ose 1.8 milionë euro për ndërtimin e Ujësjellësit të Qeparoit. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, në garë u paraqitën tre oferta.
Dy prej kompanive pjesëmarrëse, "KUPA" SHPK dhe "SENKA" SHPK, u futën në procedurë me oferta pothuajse identike, të përqendruara direkt në kokë të fondit limit. Konkretisht, përballë buxhetit maksimal prej 166.6 milionë lekësh, ato ofruan përkatësisht 165.5 milionë lekë dhe 165.7 milionë lekë.
Këto dy kompani qëndruan komode në kufijtë e mbi 99.3% të vlerës maksimale, duke mos bërë asnjë përpjekje reale për të fituar tenderin përmes çmimit.
Ky pozicionim i tyre shërbeu si një "mbulesë vizuale" perfekte, e njohur në auditim si cover bidding, për operatorin e tretë. E vetme në këtë procedurë me anomali çmimesh, kompania "NDREGJONI" SHPK u shpall fituese duke u ulur vetëm pak më poshtë se dy të parat, me një ofertë prej 162,947,114 lekësh pa TVSH.

Ky i ujësjellësit të Qeparoit nuk është rasti i vetëm, i një modeli me pikëpyetje garash në tenderat e Bashkisë së Himarës. Ndërtimi i rrugës Qazim Pali, shfaq po ashtu një model të ngjashëm.
Në garën për Rikonstruksionin e rrugës Qazim Pali-Plazh, me një fond limit prej 133,333,333 lekësh (afro 1.4 milionë euro) pa TVSH, shembulli i ofertave shoqëruese shfaqet në formën e tij më agresive.
Në këtë procedurë u paraqitën tre oferta, por sjellja e çmimeve përkon me ekzistencën e të njëjtit skenar. Kompania “B93 II” dorëzoi një ofertë prej 132,740,560.58 lekësh pa TVSH, sa 99.5 per qind e fondit limit. Oferta e dytë, ajo e kompanisë NG Structures ishte vetëm pak më poshtë, saktësisht 131.94 milionë lekë.

Në këtë garë u paraqit edhe një ofertë tjetër dukshëm më e ulët. Bajrami dhe Company Riviera 2008 ofertuan çmimin 105.35 milionë lekë, por oferta e tyre u skualifikua automatikisht për mosplotësim kriteresh.
Si rezultat, kontrata u fitua nga NG Structures me 99 per qind të fondit limit.
Nga njëra procedurë tek tjetra
Për tenderin "Ndërtimi i godinës së shërbimit MZSH" me fond limit 79.1 milionë lekë pa TVSH, në garë u paraqit vetëm një ofertues: bashkimi i operatorëve BOE "TOTILA" SHPK & "ZEQILLARI CONSTRUCTION" SHPK.
Pa pasur asnjë rival përballë dhe pa asnjë presion nga tregu për to ulur çmimin, ky bashkim operatorësh mori kontratën për vlerën 76.7 milionë lekë, ose 96.98% të fondit limit.
Njoftimi zyrtar konfirmoi se në këtë procedurë nuk pati asnjë operator të skualifikuar, thjesht sepse askush tjetër nuk u lejua ose nuk guxoi të futej në garë.
Për ta mbyllur kuadrin e "konkurrencës zero", tenderit për Sistemimin e përrenjve Himarë (fondi limit: 41.2 milionë lekë) pati dy pjesëmarrës, por skualifikimi në bllok i OE "LLUCA" SHPK për mungesë licencash dhe stafi la në lojë sërish vetëm një ofertë. Fitues u shpall BOE "APIS CONSTRUCTION" & "ILIRIA/D" me 39.7 milionë lekë (ose 96.41% e fondit limit).
Gjakderdhje financiare
Katër tenderë me një vlerë totale prej 420.4 milionë lekësh pa TVSH, të zhvilluar nga Bashkia Himarë përgjatë muajve gusht-shtator 2026, ngrenë dyshime të forta për gara të paravendosura dhe fiktivitet.
Në fund të të gjitha procedurave, kursimi për buxhetin e shtetit rezulton minimal, në kufijtë e 2.47%. Mesatarisht, kompanitë fituese kanë marrë kontratat publike duke ofruar 97.53% të fondit limit, një tregues që në manualet e monitorimit të prokurimeve klasifikohet si "flamur i kuq" për rrezik korrupsioni dhe mungesë gare.

Ky model, me sa duket i konsoliduar tenderash në Bashkinë e Himarës, ngre një shqetësim të madh. Kjo bashki është fuqia e dytë financiare e Shqipërisë, pas Tiranës.
Sipas dokumentave të publikuara në regjistrin e parashikimeve të APP-së, Vangjel Tavo do të zhvillojë gati 130 milionë euro tendera vetëm për këtë vit. Nëse tenderat do të vazhdojnë të ruajnë këtë model, kjo do të jetë një nga gjakderdhjet më të mëdha financiare të Shqipërisë.

Me pak fjalë, Shqipëria ka një kandidat të fortë për të zëvendësuar modelin AKSHI në tenderat publikë. Ajo është Bashkia e Himarës./ Kapitali/
© SYRI.net