
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026, ku evidenton rritjen ekonomike, rekordin e investimeve të huaja dhe përmirësimin e disa treguesve fiskalë, por njëkohësisht rendit edhe një sërë problematikash që vijojnë të ndikojnë në klimën e biznesit.
Sipas raportit, Shqipëria klasifikohet si një vend me të ardhura të mesme të larta, ndërsa ekonomia vijon të rritet e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe sektori i pasurive të paluajtshme.
Në tërësi, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit paraqet një ekonomi shqiptare në rritje, me investime të huaja në nivele rekord dhe përmirësim të disa treguesve fiskalë e financiarë.
Në të njëjtën kohë, dokumenti evidenton një sërë sfidash që vijojnë të ndikojnë në klimën e investimeve. Mes tyre renditen korrupsioni, krimi i organizuar, pasiguria juridike mbi pronat, emigracioni, mungesa e fuqisë punëtore, produktiviteti i ulët, ekonomia informale dhe konkurrenca e deformuar.
Sipas raportit, përmirësimi i zbatimit të ligjit, transparencës, sistemit të pronave dhe luftës kundër korrupsionit mbetet i rëndësishëm për të krijuar më shumë siguri për investitorët dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Rekord i investimeve të huaja
Një nga zhvillimet kryesore të evidentuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit është rritja e investimeve të huaja direkte.
Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë, të cituara në raport, investimet e huaja direkte arritën në një rekord prej 1.84 miliardë dollarësh gjatë vitit 2025.
Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja arriti në rreth 17 miliardë dollarë, ose 57% më shumë krahasuar me vitin 2021.
Sektorët që tërhoqën pjesën më të madhe të investimeve ishin pasuritë e paluajtshme me 34%, shërbimet financiare me 18%, industritë nxjerrëse me 10% dhe tregtia me shumicë e pakicë me 10%.
Holanda, Italia, Turqia, Kosova dhe Austria renditen ndër burimet kryesore të investimeve të huaja gjatë vitit 2025.
Raporti vëren gjithashtu se pjesa më e madhe e projekteve të miratuara si investime strategjike është përqendruar në sektorin e turizmit dhe është financuar kryesisht nga kompani vendase.
Pronat, një nga problematikat për investitorët
Çështja e pronësisë vijon të konsiderohet një nga pengesat për investimet në Shqipëri. Sipas DASH, investitorët përballen me vështirësi në mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë.
Problemet lidhen me regjistrimin e pronave, titujt e pronësisë, korrupsionin, transparencën dhe procedurat administrative.
Raporti i referohet edhe të dhënave të raportit të progresit të BE-së për vitin 2025, sipas të cilit 91% e tokës në Shqipëri është e regjistruar. Megjithatë, procesi i digjitalizimit vijon të jetë i paplotë.
Vetëm 43% e titujve të pronësisë, 69% e dokumenteve mbështetëse dhe 10% e hartave kadastrale janë digjitalizuar. Ndërkohë, rreth 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë ende verifikim për të garantuar saktësinë e tyre.
Edhe procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje vijon. Nga rreth 400 mijë aplikime, autoritetet kanë legalizuar deri tani rreth 64%, ndërsa objektivi është përfundimi i procesit deri në fund të vitit 2028.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar, sfida për klimën e biznesit
Korrupsioni dhe krimi i organizuar renditen nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndër sfidat kryesore për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.
Raporti vëren se reforma në drejtësi ka sjellë krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në. Këto struktura kanë hetuar dhe ndjekur penalisht zyrtarë të nivelit të lartë dhe persona të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar.
Një pjesë e veçantë i kushtohet procesit të vettingut. Sipas raportit, më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit janë shkarkuar për pasuri të pajustifikuara, lidhje me krimin e organizuar ose janë larguar nga detyra për të shmangur procesin e vettingut.
DASH vlerëson se forcimi i mëtejshëm i strukturave antikorrupsion dhe krijimi i një historie të qëndrueshme me dënime për korrupsionin në nivele të larta do të ndihmonte në tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja.
Kreditimi rritet, por tregu financiar mbetet i cekët
Sistemi bankar shqiptar paraqitet me disa tregues pozitivë. Kreditimi i ekonomisë arriti në rreth 10.7 miliardë dollarë në fund të vitit 2025, me një rritje prej 13.4% krahasuar me një vit më parë.
Në të njëjtën kohë, kreditë me probleme ranë në 3.8%, nga 4.17% në vitin 2024.
Megjithatë, raporti e konsideron tregun financiar shqiptar relativisht të cekët. Mungesa e një tregu funksional të aksioneve bën që sektori bankar të mbetet kanali kryesor i financimit për bizneset.
Bursa e Tiranës vijon të mos jetë funksionale, ndërsa investimet portofol mbeten të kufizuara kryesisht në aksione kompanish, obligacione dhe pasuri të paluajtshme.
Emigracioni sjell mungesë të fuqisë punëtore
Një tjetër problem i evidentuar nga raporti është mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Sipas DASH, kompanitë shqiptare kanë nisur të rekrutojnë punonjës nga vendet e Azisë Juglindore për të plotësuar vendet e lira të punës.
Në fund të vitit 2024, në Shqipëri kishte 11,908 shtetas të huaj me leje pune, rreth 10% më shumë se një vit më parë.
Raporti e lidh mungesën e fuqisë punëtore edhe me emigracionin, duke e renditur atë ndër faktorët që ndikojnë në ekonominë shqiptare, krahas produktivitetit të ulët dhe ekonomisë informale.
Shqipëria dhe procesi i integrimit në BE
Në raport pasqyrohet edhe avancimi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009 dhe e Organizatës Botërore të Tregtisë që prej vitit 2000. Negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nisën në vitin 2022, ndërsa procesi i screening-ut përfundoi në vitin 2023.
Sipas raportit, deri në nëntor 2025 Shqipëria kishte hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave, ndërsa qeveria shqiptare synon të përfundojë procesin e anëtarësimit deri në vitin 2030.
Në aspektin politik dhe të sigurisë, raporti e përshkruan situatën në vend si përgjithësisht të qëndrueshme. Zgjedhjet parlamentare të majit 2025 u zhvilluan në mënyrë paqësore, ndërsa Shqipëria ka vijuar të mbështesë stabilitetin në rajon dhe të ruajë marrëdhënie miqësore me vendet fqinje./Versus.al

