Presidenti Bajram Begaj priti sot në takim Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku në fokus të bisedës ishin integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, reformat dhe bashkëpunimi rajonal.
Gjatë takimit, Begaj falënderoi von der Leyen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe theksoi se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik i vendit, bëri të ditur zyra e shtypit e Presidencës.
Presidenti vlerësoi përparimin e bërë në procesin e negociatave, duke e cilësuar integrimin europian si një proces transformues për forcimin e institucioneve, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Ambicia jonë është të ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë përparimin drejt mbylljes së të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Presidenti.
Begaj rikonfirmoi se Shqipëria e mbështet anëtarësimin në BE mbi bazën e meritës dhe rezultateve konkrete.
“E vetmja rrugë e qëndrueshme është ajo e reformave konkrete. Jo vetëm të bëjmë ligje, por të rrisim standardet sipas atyre europiane dhe t’i vëmë në zbatim”, deklaroi Presidenti.

