Kryeministri britanik Andy Burnham ka sugjeruar se rikthimi i Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian është një nga opsionet që qeveria mund të shqyrtojë, në kuadër të përpjekjeve për të reformuar marrëdhënien afatgjatë me Europën.
Në një intervistë për BBC, Burnham tha se Brexit dhe marrëveshja që pasoi kanë shkaktuar më shumë dëme sesa të mira, ndërsa theksoi se dëshiron të shqyrtojë se “çfarë është e bëshme” për të përmirësuar marrëdhëniet me BE-në.
Deklarata e tij vjen pas fjalimit të mbajtur të martën në Konferencën Laburiste, ku sugjeroi se do të eksploronte mundësinë e marrëdhënieve më të ngushta me bllokun europian, në një samit që pritet të zhvillohet më vonë gjatë vitit.
Lëvizja mund të sjellë përplasje politike në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, ndërsa konservatorët e kanë akuzuar kryeministrin se po “përpiqet të rihapë plagët e vjetra, duke rifilluar betejat e viteve të para të Brexit”.
Javën e kaluar, Burnham la të hapur mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të kërkojë një mandat për ribashkimin e Britanisë së Madhe me BE-në.
Kur kandidoi për mandatin e deputetit që e riktheu në Parlament, ai premtoi se nuk do t’u rikthehej debateve për Brexit dhe se nuk do të propozonte aderimin sërish në Bashkimin Europian.
Megjithatë, komentet e tij të fundit përbëjnë sinjalizimin më të qartë deri më tani se kreu i qeverisë mund të largohet nga qëndrimi elektoral i vitit 2024, kur laburistët zotoheshin se do ta bënin Brexit-in funksional dhe përjashtonin rikthimin te tregu i përbashkët i bllokut.
“Nuk dua ta lë çështjen e marrëdhënieve me BE-në pezull dhe dua ta kemi të qartë se ku duam të shkojë Britania në dekadën e ardhshme”, tha Burnham për BBC.

