Thatësira dhe mungesa e tregut, fermeri nga Muriqani: 5 muaj që s’ka shi, prodhimet janë zero

30 Shtator 2026 | 20:47

Në Muriqan të Shkodrës, toka vazhdon të punohet me të njëjtin mundim, por frytet e saj nuk po sjellin më të njëjtin rezultat. Thatësira, mungesa e tregut dhe e fuqisë punëtore po i vendosin fermerët përballë një sezoni gjithnjë e më të vështirë.

72-vjeçari Ahmet Sylejmani është një prej tyre. Prej vitesh ai punon tokën dhe kultivon produkte të ndryshme bujqësore, por këtë vit prodhimi i shegëve ka qenë shumë i dobët.

Për fermerin, problemi nuk nis dhe nuk përfundon te prodhimi. Edhe kur toka arrin të japë produkt, sfida e radhës është shitja. Në mungesë të një tregu të sigurt, fermerët thonë se detyrohen ta shesin prodhimin me çmime të ulëta, ndërsa fitimi përfundimtar mbetet minimal.

“Po bëjnë 5 muaj që s’ka shi, nuk ka rënë dhe prodhimet sivjet janë zero të tana. Nuk ka sivjet kërkush asnjë lloj shansi me marrë një qindarkë. Kur ta kesh prodhimin e të mos kesh ku me e shit, është krejt e njëjta si kjo që nuk është bërë asnjë kokërr, krejt e njëjta është. Nuk ka mbetë gjë kund, është thatësirë e madhe.

Këtu, nëse ke diçka me shit, këtu të shkon për gjysmë çmimi, sepse tregtari fiton 3 herë më shumë sesa unë që e prodhoj”, thotë Ahmet Sylejmani.

Por përtej thatësirës dhe tregut, bujqësia në këtë zonë po përballet edhe me një tjetër problem: mungesën e njerëzve që mund ta punojnë tokën.

Në Muriqan, një pjesë e banorëve kanë ikur, ndërsa ata që kanë mbetur janë kryesisht në moshë të madhe. Për punët bujqësore, krahu i punës gjendet gjithnjë e më vështirë.

Ndërkohë, afërsia me kufirin u jep mundësi shumë prej banorëve të punojnë në Malin e Zi, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e punëtorëve në fshat.

“Këtu nuk ka punëtorë, janë mosha jonë e vjetër. Ku jam në gjendje unë ose një moshatar i jemi me i punu 20 dynym tokë, edhe nëse i gjej mundësi, ku do me e çu?! Ikin e gjejnë punën atje në Mal të Zi, atje i trajtojnë mirë punëtorët, u japin paratë se kështu është konkurrenca.

Ai të konkurron për çdo gjë dhe këtu e ka boshatis vendin. Deri edhe zonjat e shtëpisë i ka marrë atje. Mos me pas me ta ba kush një darkë te shpia, aq e ka thith lekun atje…”, thotë Sylejmani.

Sylejmani thotë se fermerët kanë nevojë për më shumë mbështetje konkrete dhe për një qasje më të afërt me realitetin e tokës që punojnë.

“Ah, mbështetja e fermerëve asht zero, nuk të mbështet njeri! Fondet e bujqësisë për mua janë qesharake, mos nuk ia vlen. Nuk ia vlen me shku me apliku. Nuk është fond ai. Fondi duhet me qenë me të ardhë ai me e shiku tamam, specialist me e ditë se çfarë do ajo rrënjë. Duhet me ditë dikush me i ba këto që i din tamam, por kush i ban këto”, thotë ai.

Pavarësisht vështirësive, Ahmet Sylejmani vijon të punojë tokën, ashtu si shumë fermerë të tjerë të Muriqanit. Ata kërkojnë mbështetje konkrete për prodhimin, tregun dhe fuqinë punëtore, në mënyrë që toka të vijojë të punohet dhe bujqësia të mbetet një mundësi jetese në këtë zonë.

Pa mbështetje, rreziku nuk është vetëm humbja e një sezoni, por edhe braktisja e tokës dhe e një prej aktiviteteve kryesore të banorëve të zonave rurale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rriten rastet e infarkteve tek të rinjtë, mjekët: Shkak mënyra e jetesës

Sëmundjet e zemrës dhe infarktet në moshat e reja nuk janë më raste sporadike. Mjekët kardiologë thonë se edhe më shqetësues është fakti që rastet...
20:41 | 30/09/2026

“Migrena dhe dhimbjet kronike mund të lehtësohen pa ilaçe”? Ja çfarë thotë studimi

Dhimbjet e kokës nga migrena apo dhimbjet menstruale mund të lehtësohen edhe përmes aktivitetit fizik, pa pasur nevojë për ilaçe në disa raste. Studiuesit e...
20:31 | 30/09/2026

Begaj pret Ursula von der Leyen: Shqipëria synon mbylljen e kapitujve të negociatave deri në 2027

Presidenti Bajram Begaj priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me fokus te integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, reformat...
20:02 | 30/09/2026